Deputetët e partive opozitare në Komisionin e Shëndetësisë kanë kërkuar që në fushëveprimtarinë e këtij komisioni të futet edhe aspekti i mirëqenies sociale, dikaster i cili në legjislaturat e kaluara ka qenë pjesë e këtij komisioni. Këtë propozim e kanë mbështetur edhe deputetët e mazhorancës, derisa kryetarja e Komisionit për Shëndetësi tha se do bëjë shkresë zyrtare tek Kryesia e Kuvendit për të këtë çështje. Madje opozita dhe pozita u pajtuan që vonesat për planin qeverisës dhe agjenda legjislative po i pengojnë që të dakordohen edhe për punën e Komisioneve, prandaj kërkuan që sa më parë plani qeverisës t’ për prezantim në Kuvendin e Kosovës.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku pasi tregoi fushëveprimtarinë e këtij komisioni, propozoi që të ftohen për raportim disa nga përfaqësuesit shëndetësor. I pari për raportim u propozua të jetë drejtori i Shërbimit Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi e më pas edhe udhëheqësit e Kujdesit Primar Shëndetësor dhe drejtorinë shëndetësor të burgjeve të Kosovës.
“Pres nga ju që ne si Komision të kemi qasje proaktive në muajin e parë dhe do propozoj fillimisht unë dhe më pas dhe ju që derisa të jemi në pritje të strategjisë legjislative brenda planit tanë në muajin e parë cilat janë prioritet e këtij komisioni. Unë propozoj që në takim të ftojmë drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi të vijë në Komision dhe të na jap një raport të hollësishëm sepse ashtu siç u diskutua rëndësia e vaksinave e pakontestueshme si mjeti kryesor në mbrojtje kundër pandemisë COVID-19. Por që ne jemi të interesuar që të dimë se cila është gjendja qoftë në QKUK qoftë nëpër spitalet regjionale dhe sa i përket gjendjes së punës por edhe të pacientëve si shkon trajtimi dhe gjitha pengesat që kanë shërbyesit shëndetësor”, theksoi ajo.
Pas këtij propozimi reagoi deputeti i PDK-së anëtar në këtë komision, Bekim Haxhiu i cili kërkoi që në fushëveprimtarinë e këtij komision të bëhet kërkesë që të kthehet edhe mirëqenia sociale, në të kundërtën siç tha ai kjo çështje do mbetet pa u trajtuar.
Haxhiu madje kërkoi se si Komision i Shëndetësisë t’i propozohet Qeverisë ta rikthej ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Edhe
Opozita thotë se drejtuesit e SHSKUK-së po i ikin llogaridhënies
“Mendoj se si Komision e para punës duhet të diskutonim që të rikthehej edhe fushëveprimit por edhe emërimi i këtij komisioni mu për faktin se ky komision ka trajtuar ligjet të rëndësishme siç është ligji për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, ligji për të verbëritë, besoj edhe ligji për lehona dhe pushimin prindëror dhe nuk besoj që ka komision më kompetent parlamentar në Kuvend sesa ky qoftë monitorimin dhe zbatimin e atyre ligjeve që i kemi miratuar apo miratimin e ligjeve të reja, mendoj që qeveria seriozisht duhet të mendua dhe si komision me propozua ta rikthej ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale sepse qendrat sociale sot janë të shkapërderdhura dhe pa mbikëqyrje dhe sot as strehimoret e viktimave nuk dihet se nga kush do menaxhohen është një ngatërresë e madhe që është shkaktuar në zbatim”, tha ai.
E ish ministri i Shëndetësisë njëherësish edhe nënkryetar i Komisionit për Shëndetësi, Armend Zemaj tha se janë të kota idetë që të ftohen për raportim persona derisa ende nuk dihen politikat shëndetësore të kësaj qeverie.
“Të gjitha të tjerat janë të kota kur nuk e dimë shprehimisht se cilat janë politikat shëndetësore të qeverisë aktuale, nuk ka program qeverisës, nuk ka strategji legjislative dhe ju po insistoni që të lëshohemi në rrafshin e raportimit dhe kërkesës për llogaridhënie në diçka të cilën nuk e dimë se cilat janë orientimet programime të kësaj qeverie për sektorin e shëndetësisë. Është ‘non sens’ që në gjithë këto muaj të qeverisjes ose të parapërgatitjes paraelektorale aktualisht që deri më tani nuk kemi një program qeverisëse që ne si komision funksional mund të ulemi duke u mbështetur në fushëveprimtarinë e komisionit dhe të lëshohemi në pjesët operacionale dhe të komisionit”, theksoi Zemaj.
E kryetarja e Komisionit për Shëndetësisë, Fatmire Kollçaku i informoi deputetët se qeveria shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës do sillet plani qeverisës dhe strategjia legjislative.
“Për strategjinë legjislative të gjithë u pajtuam nuk ka vërejtje rastësisht jam në pozitë dhe jam e informuar që ajo do arrij shumë shpejt dhe normal që plani i punës nuk do prezantohet këtu as nuk do përfundoj”, tha ajo.
Shemdesin Dreshaj anëtar i këtij komisioni nga radhët e AAK u pajtua që në fushëveprimtari të këtij komisioni të jetë pjesë edhe segmenti i mirëqenies sociale.
“Plotësisht pajtohem që për shkak të ngjashmërisë që ka puna dhe mirëqenia sociale me shëndetësinë që në kuadër të fushëveprimtarisë të këtij komisioni të futet edhe ky segment” ,theksoi Dreshaj.
Edhe
Partitë parlamentare premtojnë sigurimin shëndetësor gjatë mandatit të ardhshëm
Ndërsa, në këtë mbledhje të Komisionit për Shëndetësi u diskutua edhe për shkresën e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës lidhur me uljen e shtesave për profesionistët shëndetësore. Kjo shkresë adresonte edhe kërkesa të tjera siç ishte dyfishimi i buxhetit për shëndetësi, ligji i pagave etj.
Lidhur me shtesat për profesionistët shëndetësor, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se tashmë në seancën e djeshme parlamentare ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë sqarimet se pse ka ardhur deri tek ulja e këtyre shtesave./ksp