Pas dëmeve që sulmi terrorist la në kanalin e Ibër-Lepencit, pa ujë të pijshëm kanë mbetur qytetarë të komunave të regjionit të Mitrovicës dhe një pjesë e rajonit të Prishtinës. E, njohës të sektorit të ujërave thonë se hidrosistemi i Ibër-Lepencit është jetik për mirëqenien e qytetarëve
Sulmi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ka lënë pa ujë të pijshëm banorë të disa komunave që furnizohen nga liqeni i Ujmanit.
Pas shpërthimit, qytetarët e Mitrovicës së Veriut janë furnizuar me ujë të pijshëm përmes autoboteve të vendosur në disa lokacione nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Mitrovicë ka bërë të ditur se është duke punuar në zgjidhjen afatgjate të problemit.
E, qytetarët thanë se janë detyruar të blejnë edhe bidonë me ujë.
“Nuk është ardhur hiç uji, e cisternat po. Po shkepin me cisterna e ne po i mbushim. Ujë të pijshëm nuk ka”, ka thënë Birsana Ademi, qytetare nga Mitrovica. “Mbrëmë i kemi pasë disa bidonë në shtëpi, pastaj vëllai ka shku dhe i ka ble disa shkaku i fëmijëve”.
Edhe bizneset kanë ndierë pasojat nga ndalja e ujit.
“Prej mbrëmjes kemi problem me ujë dhe po kemi problem edhe me biznes që nuk po kemi mundësi t’i pastrojmë enët”, ka thënë Premtim Kajtazi, i cili ka një biznes gastronomie.
Hidrosistemi i Ibër-Lepencit furnizon me ujë një pjesë të komunës së Prishtinës, Fushë-Kosovën, Obiliqin, Drenasin, Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Skenderajn.
Baton Begolli, njohës i sektorit të ujërave, thotë se Iber-Lepenci, kanali i të cilit u godit me eksplozivë, përbën infrastrukturë kritike për shtetin.
“Hidrosistemi Ibër-Lepenci, përfshirë diga e Ujmanit dhe kanali i Ibër-Lepencit (ndonëse praktikisht i bie vetëm në Ibër sot për sot, sepse pjesa e Lepencit akoma nuk është nisur), është objekti më jetik për mirëqenien shoqërore, ekonomike, politike të Kosovës dhe është jetik për sigurimin e ujit të pijes për komunat. Por jo vetëm për ujë të pijes, por ky kanal është strategjik edhe për sigurimin e ujit për ftohjen e kazanëve të KEK-ut... tani me këtë intervenim kemi ujë”, ka thënë Begolli. “Shkabaj mbetet sfidë se ujë nuk ka tani mjaftueshëm, prandaj mbetet të bëjmë zgjidhje alternative nga Badovci e Batllava për Prishtinë, nga puset e Hashanve për Obiliq dhe pusetave të Kroni dhe Vragoli për Fushë-Kosovën”.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit është i papijshëm, pas dëmtimit nga sulmi terrorist.
“Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe parametra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në të është bërë e ditur se IKSHPK-ja është duke bashkëpunuar me KRU “Mitrovicën” dhe KRU “Prishtinën” për të monitoruar ujin nga kanali i Ibër-Lepencit dhe se do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.
“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja sigurojnë qytetarët që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara”, vijon njoftimi.
Pas dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi me eksplozivë, reduktime të ujit ka pasur edhe në Drenas, Fushë-Kosovë e Obiliq. Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” këto komunat kanë pasur ndalje të ujit për pesë orë gjatë ditës së shtunë.
Ndërsa furnizimi me ujë i KEK-ut është rregulluar pak orë pas shpërthimit, pas intervenimit të institucioneve, inxhinierëve e punëtorëve të ndërmarrjeve publike.