Gazetaria shqiptare në zi. Ndërron jetë gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku, një prej emrave të shquar të gazetarisë postkomuniste në Shqipëri.
Një penë brilante në reportazhbërjen e më pas në realizimin e shumë dokumentarëve, Fatos Baxhaku la gjumë si një kritik i fortë i tranzicionit shqiptar.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Fatos Baxhakut 55 vjeç, u publikua nga miqtë në rrjetet sociale.
Zemra e tij pushoi së rrahuri pasditen e të premtes duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante prej disa kohësh. Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964.
Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe “20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”.
Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë, ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave.
Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”.
Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb), si dhe i shumë dokumentarëve televizivë. Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës si dhe anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias dhe OSBE.
Baxhaku ka një emër edhe në shumë botime në fushën e gazetarisë dhe të historisë. Kryeministri Edi Rama e përcjell me dhimbje ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Fatos Baxhaku. Ai e konsideron gazetarin një njeri të mirë të librave e gazetarisë me një kuriozitet fëminor për natyrën njerëzore.
“E pabesueshme, por fatkeqësisht jeta është edhe kjo, pa u zbutur një fije pikëllimi për Gjergj Xhuvanin, një tjetër mik i kohëve të vjetra, Fatos Baxhaku, njeri i mirë i librave e i gazetarisë së sojit më të mirë, që jetoi me një kuriozitet fëminor për natyrën njerëzore dhe me një dashuri pa zhurmë për brendinë e këtij vendi, sot e humbi betejën me sëmundjen cfilitëse… Lamtumirë Baxhak!”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Pas ndarjes nga jeta të gazetarit të njohur Fatos Baxhaku, Presidenti i Republikës, Ilir Meta teksa shpreh dhimbjen për familjen, nënvizon se ai ishte një nga pionierët e shtypit të pavarur pas rënies së diktaturës. Meta thekson se Baxhaku u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për 30 vjet, duke e lidhur “emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes”.
“Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të mirënjohur, Fatos Baxhaku!.Një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë. Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me radhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!.Në këto momente dhembjeje të madhe, ju shpreh ngushëllimet e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të Tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komunitetit të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendësueshëm, modelin e profesionistit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushjes së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor.Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësia dhe mirësia e tij! Lutem që shpirti i Tij të prehet në paqen e përjetshme!”shkruan presidenti Ilir Meta.
Pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Fatos Baxhaku edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka ngushëlluar familjen Baxhaku.
Në një mesazh të lënë në Facebook, Basha shprehet i pikëlluar për largimin parakohe nga jeta të gazetarit të njohur, duke e cilësuar si një ikonë të gazetarisë.
“Mësova i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, publicistit dhe historianit Fatos Baxhaku. Një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, asaj që lindi si tribunë e fjalës së lirë, bashkë me demokracinë në vitin 1991, Fatos Baxhakut si shumë pionierëve të tjerë të fushës, iu desh të përshkonin të parët shtegun e pashkelur të profesionit dhe etikën e profesionit në të njëjtën kohë. Ai ishte për shumë vjet edhe gazetar, edhe profesor i gazetarisë, edhe polemist e replikues, edhe sindikalist i gazetarëve, edhe mbrojtësin e të drejtave të njeriut. Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie. Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij. Në këto momente të vështira i gjendem pranë familjes, në humbjen e pangushëllueshme të njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.