Nga kjo javë ka nisur edhe rritja e çmimit të biletave të autobusëve. Qytetarët kërkojnë dorën e shtetit, por Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur një përgjigje për ta. Ndërkaq, kompanitë private e arsyetojnë shtrenjtimin e biletave me ngritjen e çmimeve të naftës, prej se ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Rritja e çmimit të naftës u ka shërbyer kompanive të transportit që t’i shtrenjtojnë biletat për udhëtarët.
Kjo përbën shqetësim për qytetarët, të cilët kërkojnë dorën e shtetit në këtë situatë.
“Është rritje e madhe për studentët. Iu kisha lut shtetit që të bëjë diçka”, ka thënë një qytetar.
Por në Ministrinë e Infrastrukturës nuk dhanë një përgjigje mbi kërkesat e këtilla të qytetarëve.
E në Stacionin e Autobusëve thonë se çmimet janë kompetencë e vetë kompanive.
“Rritja e çmimeve të biletave është kompetencë e vetë transportuesve, të gjitha janë kompani private dhe vendimet janë të tyre”, ka thënë zëdhënësja në Stacionin e Autobusëve, Shqipe Durmishi.
Në kompanitë private e arsyetojnë shtrenjtimin, meqë thonë se çmimi i ri është diktuar nga shtrenjtimi i dukshëm i derivateve.
“Arsyeja e vetme është shtrenjtimi i derivateve të naftës... Edhe shteti kurrë nuk na ka ndihmu, por shpresojmë në subvencionim”, ka thënë shoferi Visar Dauti.
Deri në 50 centë ka shënuar rritje çmimi i biletës për relacionin e udhëtimit nga komunat e tjera për në kryeqytet dhe anasjelltas.
Brenda dhjetë ditësh, prej kur ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia, çmimi për një litër naftë ka mbërritur në 1 euro e 60 centë, nga rreth 1 euro e 20 centë sa ishte.