Arbëri

Shteti, indiferent karshi krimeve të luftës në Prekaz

Për 59 të vrarët në sulmin e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz, që shumica ishin fëmijë, gra e civilë të paarmatosur, shteti nuk ka ngritur padi apo aktakuzë kundër përgjegjësve të operacionit që dihen me emër e mbiemër. Dhe derisa institucionet nuk po bëjnë punën e tyre, familjarët e viktimave dhe aktivistët po humbin shpresat se kriminelët e luftës do të nxirren para drejtësisë

Miliona shqiptarë e të huaj kanë vizituar deri tani Kompleksin Memorial në Prekaz për të parë pasojat e sulmit treditor të marsit të vitit 1998.

Familjarët e 59 të vrarëve, shumica prej tyre fëmijë, gra e pleq, një çerekshekulli pas sulmit ende po presin sistemin e drejtësisë që të bëjë hapa konkretë për t’i akuzuar përgjegjësit e vrasjes së civilëve dhe për nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Disa familjarë refuzojnë të flasin nga droja se mund të keqkuptohen. Të tjerët ende nuk i kanë gjetur mbetjet mortore të të dashurve të tyre që varret i kanë me emra, por pa trupa.

“Kanë kryer gjenocid”

Afërdita Bazaj, motra e Smail e Fatime Bazajt, që ranë në epopenë e UÇK-së në Prekaz, thotë se të afërmit e saj u ishin bashkuar vullnetarisht Jasharëve në Prekaz, ngase pas masakrave ndaj civilëve në Likoshan e Qirez në fund të shkurtit priteshin sulme edhe ndaj Prekazit në fillim të marsit.

“Ata kanë shkuar për t’i dalë krah Ushtrisë dhe për të ndihmuar popullin e vet. Në fillim e kemi pritur lajmin shumë keq, mirëpo kemi shpresuar se ata janë diku për arsye se kur është bërë identifikimi i kufomave në Prekaz trupat e tyre nuk janë gjetur”, thekson Afërdita Bazaj.

Image

Mbetjet mortore të Smail Bazajt ishin gjetur pas luftës në rrënojat e shtëpisë së Hamid e Sala Jasharit në hyrje të Prekazit, ku edhe kishin luftuar. Por, ende nuk ka informacione për trupin e Fatimes.

Edhe ato dëshmi që gjatë e pasluftës janë mbledhur nga aktivistët e KMLDNJ-së, nuk dihet se ku kanë përfunduar, derisa institucionet përkatëse nuk japin përgjigje të qarta zyrtare. Por Murat Musliu, kryetar i Degës së KMDLNJ-së në Skënderaj, është i bindur sot e asaj dite se në Prekaz forcat serbe kryen krime lufte.

“Është krim lufte, edhe me rregulla ndërkombëtare, edhe me gjithçka, sepse sulmi është kryer pa paralajmërim. Kanë shtënë në drejtim të shtëpive, kanë vrarë gra, fëmijë, gra shtatzëna, çfarëdo që u ka dalë përpara. Kanë kryer gjenocid”, thekson Musliu pranë varreve të kompleksit memorial në Prekaz. Prej 59 të vrarëve, 20 ishin të familjes Jashari, 35 të farefisit të gjerë Jashari dhe katër të tjerë që nuk ishin nga Prekazi.

“Ky për mua dhe për të gjitha rregullat ndërkombëtare është krim lufte. Nëse kanë dashur ta arrestonin Adem Jasharin, ai në shtëpi ka qenë, por qëllimi i tyre ka qenë frikësimi i popullatës dhe frikësimi i UÇK-së, të shkatërrojë dhe të vrasë çdo gjë që del përpara. ... qëllimi i politikës serbe ka qenë gjenocidi, që të frikësojë popullin shqiptar”.

“Askush nuk është interesuar”

Derisa Musliu thotë se numri i të trupave të pagjetur është shtatë, në Muzeun e Kompleksit Memorial ngulmojnë për dhjetë sish. Karbonizimi i eshtrave ka vështirësuar identifikimin e të pagjeturve. Dega e KMLDNJ-ja menjëherë kishte siguruar emrat e përgjegjësve të zinxhirit komandues serb në Skenderaj për sulmin e fillimmarsit të vitit 1998.

“Ka qenë Lija Trajkoviq, komandant i policisë, atëherë serbe, në Skenderaj, Mario Ristiq, zëvendëskomandant i tij, Branko Jaridiq, kryshef i Policisë (i ndjerë) dhe Momo Peliviq, shef i Sigurimit Shtetëror (i ndjerë”, thekson Musliu, derisa në duar mban dy faqe materiali të përmbledhur për sulmin ndaj Jasharëve.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, kërkesës së Grupit KOHA për intervistë të enjten e javës së kaluar për të kuptuar nëse Komuna ka mbledhur dëshmi, i është përgjigjur me këmbënguljen e tij që pyetjet të shtrohen me shkrim.

Por KOHA nuk ka marrë asnjë përgjigje të shkruar nga Komuna e Skënderajt deri të hënën pasdite.

Afërdita Bazaj thotë se në vitet e para të pasluftës ka pasur interesim të institucioneve e aktivistëve për të mbledhur dëshmitë e të mbijetuarve e familjarëve për vrasjet, por edhe për të ndihmuar procesin e gjetjes së trupave të të pagjeturve.

“Mirëpo tash e sa vjet mundem me thanë askush nuk është interesuar, edhe pse e kemi ngritur zanin në çdo protestë çdoherë, mirëpo informacione aspak nuk kemi marrë, as ndihmë diçka të paktë çka mund të ketë ndodhur”, thekson Bazaj.

Musliu thotë se materialet e dëshmitë e degës së kryesuar prej tij i janë dorëzuar zyrës qendrore të KMLDNJ-së dhe institucioneve të drejtësisë, porse nuk ka informacion se mund të jenë marrë hapa konkretë për nisje zyrtare të procesit të hetimeve.

Edhe Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet adresuara për këtë çështje që nga java e kaluar. Familjarët e të pagjeturve vazhdojnë të presin thirrjen e tyre për mbledhjen e dëshmive.