Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shtëpia e Rexhep Malës shpallet aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore

Shtëpia e atdhetarit Rexhep Mala është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, e pritet të shndërrohet në muze.

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar shtëpinë e tij dhe ka thënë se disa baza ilegale që kanë qenë në oborrin e Malës, kanë shërbyer për organizimin e mijëra veprimtarëve.

“Në shekullin XX. Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri e për bashkim”, ka thënë Kurti të enjten, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas tij, Kosova i ka borxh Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës “për qëndresën, organizimin dhe flijimin e tyre”.

“Ilmi Ramadani, bashkëveprimtar i Rexhep Malës, i ka shpjeguar kryeministrit Kurti vendin ku ka qëndruar në ilegalitet Rexhep Mala, që ishte një lloj bunkeri, me hyrjen të mbuluar me dhe katër bazat e tjera duke qëndruar në to në ilegalitet në rrethanat e atëhershme”, thuhet tutje nga ZKM-ja.

Mala ishte anëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe pas përndjekjes nga forcat serbe, ishte arrestuar dhe dënuar me 9 vjet burgim. Ai dhe Nuhi Berisha ishin vrarë nga trupat serbe.