Ura tibetiane në gjatësi prej 20 metrave, që lidh brigjet e lumit, është “porta hyrëse” që çon drejt shtegut bjeshkatar të siguruar me kabllo metalike në Grykën e Lumëbardhit të Prizrenit.
Ky shteg i vendosur në shkëmbinjtë mbi Lumëbardhë ofron pamjen e gjatësisë së lumit, prej Prevallës deri në hyrje të qytetit, ndërkohë që mund të shihen edhe të gjitha majat e Maleve të Sharrit. Prandaj nga ideatorët e tij është emërtuar “Panorama”. Por për ta përshkruar këtë shteg krahas aftësive fizike nevojiten pajisjet adekuate, sikurse edhe shoqërimi nga bjeshkatarët e aftësuar, shkruan Koha Ditore.
Bartësit e këtij projekti kanë bërë të ditur se krijimi i këtij shtegu krahas promovimit të bjeshkatarisë dhe alpinizmit në këtë zonë, synon që të shtojë edhe një atraksion në ofertën turistike të qytetit të vjetër. Madje një javë para përurimit zyrtar, shtegu via ferrata “Panorama” në Grykën e Lumëbardhit ka pasur vizitorë ndërkombëtarë. Në njoftimin në rrjetet sociale, Hacer Özkalender ka bërë të ditur se ekipi i bjeshkatarëve nga Bursa e Turqisë, që janë të binjakëzuar me shoqatën bjeshkatare “Sharri” të Prizrenit kanë realizuar ngjitjen e parë në këtë shteg në shoqëri të kolegëve të tyre vendorë.
“Ndërsa si grua unë e realizova ngjitjen e parë”, është shprehur Özkalender, teksa ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë të anëtarëve të ShB “Sharri”.
Menaxheri i projektit dhe anëtari i kryesisë së ShB “Sharri”, Deni Hameli, ka shpjeguar se krijimi i shtegut bjeshkatar në Grykën e Lumëbardhit, respektivisht via ferrata “Panorama” është iniciuar me idenë e kësaj shoqate, e cila edhe ka hartuar projektin përkatës.
Edhe
Përurohet “Shtegu Panorama” në peisazhin e mbrojtur të Gërmisë
“Ideja ka filluar duke u bazuar në përvojat e mëhershme që kanë pasur kolegët tanë nga Peja, që e kanë ndërtuar via ferratën në Grykën e Rugovës dhe në kontakt me ta e kemi zhvilluar projekt-konceptin dhe kemi vazhduar me procedura të tjera”, ka thënë ai.
Realizimi i këtij projekti është mundësuar në saje të një bashkëpunimi mes Komunës së Prizrenit, PPSE Swisscontact dhe ShB “Sharri” përmes projektit “Promovimi i punësimit në sektorin privat”.
Hameli ka njoftuar se via ferrata “Panorama” fillon nga ura tibetiane, e vendosur në Grykën e Lumëbardhit, afër 5 kilometra nga qendra e qytetit. “Nga ura fillon shtegu. Është një shteg i siguruar me kabllo metalike diku 510 metra. Kalimi i urës bëhet me pajisje të sigurisë, pastaj vazhdohet 200 metra shteg këmbësorësh deri te qasja në shkëmbinj. Prej qasjes në shkëmbinj deri te maja e malit janë 510 metra shteg, që është e ndërtuar me standard italian nga njerëzit që janë trajnuar dhe licencuar në Itali”, ka deklaruar Hameli.
Ndihma e “Marimangave”
ShB “Sharri” përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se nisma për ndërtimin e një produkti turistik në këtë zonë ka dy vjet që ka filluar dhe se puna fillestare ka konsistuar në studimin e terrenit për ndërtimin e një via ferrate, pasi që Gryka e Lumëbardhit nuk ka pasur ndonjë produkt turistik. Sipas shoqatës, kjo grykë pos bukurive natyrore nuk ka ofruar tjetër gjë për vizitorët, pos disa vijave kacavarëse që ishin hapur nga bjeshkatarët e saj në baza vullnetare. Pas përpilimit të projektit, mbështetje kanë ofruar autoritetet lokale dhe donatorët ndërkombëtarë. Por ShB “Sharri” ka theksuar se nuk duhet harruar edhe kontribuuesit më të mëdhenj të zhvillimit të turizmit malor në vend, “Marimangat” e Pejës, që kanë ofruar këshilla e kanë realizuar punë në këtë projekt.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga ShB “Sharri”, gjatësia e shtegut të siguruar në via ferrata “Panorama” është 510 metra, derisa disniveli është 185 metra dhe shkalla e vështirësisë është EEA-D. Kohëzgjatja e ngjitjes është një orë e gjysmë, derisa shtegu i kthimit merr 30 minuta.
Në hapjen zyrtare të këtij shtegu, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se projekti është realizuar me idenë dhe sugjerimet e bjeshkatarëve të Prizrenit, dhe se synon begatimin e ofertës turistike të qytetit.
“Via ferrata është një shtim për ofertën turistike të Prizrenit. Në aspektin e ofertës turistike kemi turizmin kulturor, por në të njëjtën kohë po mundohemi turizmit t’ia shtojmë edhe turizmin malor, sidomos në aspektin e aktiviteteve sportive rekreative”, ka thënë Haskuka.
Edhe
“Shtëpia e fisnikërisë”, një udhëtim në botën e aristokracisë kineze
Drejtoresha e Turizmit, Sevil Kazaz, ka pranuar se ka përshkuar rreth 150 metra të këtij shtegu. Sipas saj, vlera e projektit ka kapur shumën prej 44 mijë eurove.
Ndërkaq kryetari i ShB “Sharri”, Sadik Shporta, ka theksuar se krijimi i shtegut via ferrata në Grykën e Lumëbardhit ka qenë ide e kamotshme e bjeshkatarëve dhe se tanimë është realizuar. Ai ka pohuar se ngjitja do të bëhet me pajisje dhe me përcjelljen e anëtarëve të shoqatës.
“Po pres që ka me përfitu Prizreni”, ka thënë Shporta, duke shprehur bindjen se ky projekt do të ndikojë në masivizimin e këtij aktiviteti, sidomos te të rinjtë.
Drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Katharina Stocker, ka theksuar se qëllimi i kësaj zyre është përkrahja e zhvillimit në Komunën e Prizrenit duke bashkëpunuar me autoritetet lokale. “Në këtë rast arritja e qëllimit tonë për të zhvilluar punësimin në këtë rajon ka qenë përmes turizmit. Dhe kjo i shton vlerë turizmit dhe e mundëson punësimin”, ka thënë ajo.
Atraksioni që i mungonte qytetit të vjetër
Kryetari i Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, Arben Lila, ka vlerësuar se via ferrata “Panorama” është një mundësi shtesë për turistët që të shijojnë bukuritë e kësaj ane.
“Një derë më shumë u hap për turistët që duan të shijojnë edhe Bjeshkët e Sharrit. Për komunitetin bjeshkatar kjo është një shenjë e përparimit”, është shprehur ai në rrjetet sociale.
Edhe
Drojë se zgjatja e sheshit deri te Rrethi me Flamur do të bllokojë më shumë Prishtinën
Projekti për ndërtimin e via ferrata në Grykën e Lumëbardhit derivon nga Strategjia e Zhvillimit të Turizmit në Komunën e Prizrenit 2019-2023. Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në verë të këtij viti me shumicë votash patën miratuar këtë strategji. Zyrtarët e Ekzekutivit gjatë prezantimit të kësaj politike publike patën pohuar se me strategjinë synohet shtimi i numrit të turistëve dhe qëndrimit të tyre në këtë komunë, sikurse edhe rritja e investimeve dhe punësimeve në këtë sektor. Ndërkaq në dokument ndër të tjera shkruan se Strategjia bazohet në një metodologji bashkëkohore për menaxhim të destinacioneve, e cila është zhvilluar nga Universiteti Zviceran St. Gallen. “Kjo metodologji kryesisht bazohet në rrjedha ekzistuese të vizitorëve dhe ofron propozime praktike për adresim të sfidave aktuale. Përmes kësaj strategjie, mes tjerash, do të tentohet që të nxitet ardhja e më shumë vizitorëve, të rritet kohëzgjatja e qëndrimit të tyre dhe shpenzimet e tyre, duke iu ofruar shërbime kualitative turistike”, shkruan aty. Gjithashtu theksohet se disa zona të Prizrenit ndonëse aktualisht nuk shquhen për rrjedha të rregullta të vizitorëve, “ato, megjithatë, do të jenë në planet investive të Komunës, për shkak të arsyeve në vijim: diversifikimit të ofertës turistike; infrastrukturës ekzistuese për zhvillim të aktiviteteve turistike; traditës së zhvillimit të aktiviteteve turistike në të kaluarën; dhe ofrimit të mundësive të barabarta zonave të ndryshme për zhvillim të qëndrueshëm”. Ndërkaq te pjesa dedikuar produkteve dhe aktiviteteve turistike, Strategjia parasheh ndërtimin e shtegut via ferrata në Grykë të Lumëbardhit.
“Via ferrata po rezulton të jetë njëra nga atraksionet më të mëdha në Grykën e Rugovës. Duke u nisur nga ky shembull, edhe në Prizren, te Gryka e Lumëbardhit (te vendi 40 Bunarë), do të ndërtohet një shteg për ngjitje via ferrata. Përpos bukurive të kanionit gjatë ngjitjes, nga maja e këtij shtegu shihet Lumëbardhi në tërë gjatësinë e tij, prej burimit në Prevallë e deri në hyrje të qytetit, si dhe të gjitha majat e Maleve të Sharrit. Lokacioni do të jetë 4 km larg prej qytetit, ndërsa rruga për aty kalon pranë dy kalave, një muzeu, kishës së Arhangjellit dhe një ure të vjetër romake. Shtegu do të jetë i gjatë 500 metra”, thuhet në Strategji.