Shtatë kompani transportuese të udhëtarëve në relacionin Prishtinë-Lipjan – Shalë kanë vendosur bashkërisht për rritjen e çmimeve për bileta të udhëtarëve. Mirëpo, pas këtij vendimi kanë reaguar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, shoqëria civile dhe vetë qytetarët e Lipjanit.
Në relacionin Prishtinë-Lipjan biletat e udhëtarëve janë rritur nga 0.50 centë në 0.70 centë, ndërkaq në relacionin Prishtinë-Shalë nga 1.00 euro në 1.50 euro. Ndërkaq, sipas nenit 4 të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës konsiderohen të ndaluara të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, pastaj vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant, e veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi, shkruan sot Koha Ditore.
“Te pika 1.2 e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës është e ndaluar të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet, 1.3. ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit, 1.4 zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese, 1.5 kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave”, thuhet midis të tjerash në Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)