Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqiptarët e sulmuar në Mal të Zi u shoqëruan nga policia deri në kufi

Tre shqiptarët që u sulmuan të shtunën në Mal të Zi, u shoqëruan nga policia malaziase në orët e hershme të së dielës deri në pikën kufitare në Muriqan.

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ata u dërguan në pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku u janë bërë kontrolla dhe ka rezultuar se nuk kanë probleme serioze.

“Policia malazeze ka kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë kanë dhënë deklarime në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi. Në përfundim të veprimeve të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri. Drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjës policie, deri në kufi. Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth orës 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme”, thuhet nga Policia e Shqipërisë.

Policia e Malit të Zi ka treguar se ka identifikuar tre persona të dyshuar, të cilët sulmuan tre shtetasit shqiptarë në rrugën kryesore të qytetit të Zelenikës.

“Në orët e pasdites të së shtunës, përmes telefonit është raportuar në shërbimin kujdestar të Departamentit të Sigurisë Herceg Novi se në rrugën kryesore në qytetin e Zelenikës ka ndodhur shkelje e rendit dhe qetësisë publike nga disa persona të panjohur. Policia dhe efektivët janë dërguar në vendngjarje ku kanë konstatuar tre persona, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët kanë pasur lëndime të dukshme, të cilët më pas janë drejtuar për të kërkuar ndihmë mjekësore. Policët kanë ndërmarrë veprime në kuadër të juridiksionit të tyre për të përcaktuar të gjitha rrethanat në të cilat persona të lënduar, dhe për të ndriçuar ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Policisë, që ka thënë se janë marrë pamjet e kamerave nga objektet pranë. “Për ngjarjen është njoftuar prokurori kompetent, që do të bëjë kualifikimin ligjor dhe do të merren masat”.