Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqipëria përshtat me standardet ndërkombëtare të drejtat e pakicave

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi dje përpara Komisionit Parlamentar të Ligjeve projektligjin për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji për herë të parë në vendin tonë, Ministri Bushati u ndal në disa aspekte të rëndësishme të tij. Sipas tij, “Shqipëria është vend palë në konventat Kuadër të OKB-së, të KiE e më specifike është Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”. “Një pjesë e këtyre standardeve reflektohen edhe në kuadrin kushtetues e në kuadrin ligjor shqiptar”, tha Bushati.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, duke e konsideruar respektimin e të drejtave dhe të pakicave jo vetëm një detyrim që buron nga angazhimi i institucioneve shqiptare në organizmat ndërkombëtarë por edhe si një realitet, Bushati vlerësoi se “me këtë ligj kemi mundësi të intensifikojmë edhe më tej ruajtjen dhe shprehjen e identitetit kombëtar, fetar e kulturor të pakicave, të cilat përbëjnë natyrisht një prej elementëve kryesorë të shoqërisë tonë”.

Bushati thekson se pas firmosjes së MSA-së në vitin 2006 me Bashkimin Evropian, ishte planifikuar miratimi i një ligji për minoritetet kombëtare. “Megjithëse një premtim për një ligj të tillë ishte dhënë nga ana e autoriteteve shqiptare që në vitin 2007, angazhimi për ta bërë realitet këtë zotim nuk ka qenë real deri në vitin 2014, kur me urdhër të kryeministrit, u ngrit një grup ndërinstitucional pune për të analizuar fillimisht kuadrin ligjor për mbrojtjen e pakicave në Republikën e Shqipërisë. Pasi u bë një analizë paraprake e kuadrit ligjor në mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, në Shqipëri, në bashkëveprim edhe me institucionet, si edhe me ekspertizën ndërkombëtare, u konkludua për të pasur një ligj specifik kuadër, që do të adresonte një numër çështjesh të cilat, deri në këto momente që flasim janë të paadresuara”, shtoi Bushati.

Ministri i Jashtëm shtoi se Komiteti Këshillues i Konventës Kuadër i rekomandoi dhe i kërkoi autoriteteve miratimin e një ligji specifik për pakicat, për të qartësuar politikat ndaj tyre, veçanërisht duke përcaktuar kritere të qarta ligjore, të kërkuara për njohjen e një pakice kombëtare. “Komiteti konsideroi se autoriteti për marrjen në konsideratë të kritereve objektive dhe subjektive lidhur me identitetin e personave, duhej të favorizonte një qasje më fleksibël dhe më të hapur me qëllim zbatimin në germë dhe në frymë të Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për pakicat”, tha ai.

Ministri i Jashtëm theksoi se “pjesë e angazhimeve dhe planit tonë për zbatimin apo për përmbushjen e 5 prioriteteve për anëtarësimin ne BE është jo vetëm miratimi i këtij ligji në Kuvend, por edhe kalimi i akteve nënligjore dhe ndërmarrja e akteve apo masave të tjera institucionale nga Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, fushat e veprimit të të cilëve në një mënyrë a në një tjetër, prekin dhe aktivitetin e pakicave kombëtare në Shqipëri”. “Ato, do ta bëjnë natyrisht këtë ligj më të zbatueshëm dhe do të sjellin efekte në praktikë”, siguroi Bushati.

Rekomandimet e Komitetit Këshillues:

– përpunimi i të dhënave dhe censusit në përputhje të plotë me parimin e vetdeklarimit. Sigurimin që në censuset e ardhshme të parashikohen procedurat e duhura si dhe format e tjera për mbledhjen e të dhënave, me qëllim që të ofrohen të dhëna të besueshme për gjetjen e personave që u përkasin pakicave kombëtare.

– Intensifikimi i një dialogu me personat që u përkasin pakicave, mbi mundësitë e mësimit në gjuhën e tyre;

– Forcimi i dialogut me shoqatat që përfaqësojnë pakicat, konsultimi i tyre në lidhje më çështje mbi pakicat;

– Përdorimi i gjuhës së pakicave në marrëdhënie me autoritetet administrative;

– Përdorimi i emrave tradicionale e i shenjave të tjerë topografike;

– Zbatimi efektiv i planit kombëtar për zbatimin e dekadës Rome 2010-2015.