Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në

1 muaj më parë / 14 kor 2026 20:20
Shqipëria

Shqipëria ka mbyllur sot tre kapitujt e parë negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Konferencën e IX-të Ndërqeveritare Shqipëri - BE që u mbajt të martën mbrëma në Bruksel. 

Shqipëria ka mbyllur kapitujt me numra rendorë 25, 26 dhe 30, për të cilët ose nuk ka nevojë të negociohet fare ose Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret. Negociatat për anëtarësim në BE të Shqipërisë përmbajnë 33 kapituj. 

Në një konferencë për media, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo gjë shënon një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm në BE.

E komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se ky është një moment historik për Shqipërinë, por shtoi se e pret punë e madhe për përmbylljen e të gjithë kapitujve.

Shqipëria ka mbyllur kapitujt 25 (Shkenca dhe Hulumtimet) dhe 26 (Arsimi dhe Kultura), kapituj të cilët në të kaluarën janë hapur dhe mbyllur përnjëherë, pasi për ta nuk ka ndonjë kornizë të përbashkët ligjore të BE-së, por vetëm disa parime themelore. Por, që nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit të BE-së, asnjë kapitull nuk ka mundur të mbyllet pa u miratuar një raport i ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e rendit dhe ligjit, raport i njohur me shkurtesën IBAR. Një raport i tillë për Shqipërinë është miratuar me disa muaj vonesë, pasi ka pasur rezerva nga ana e disa shteteve anëtare, por ky miratim së paku ka hapur rrugën që Shqipëria tash të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi vitin e kaluar kishte bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i hapur të gjithë kapitujt.

Shqipëria mbylli edhe kapitullin 30, që ka të bëjë me politikën e jashtme. Rreth këtij kapitulli Shqipëria nuk ka pasur probleme asnjëherë, pasi është e përshtatur 100 për qind me pozicionet e BE-së në çështjet e jashtme, ndërkohë që është edhe vend anëtar i NATO-s.

Avancimi i Shqipërisë drejt BE-së, Hoxhaj: Thirrje reflektimi për Kosovën

1 muaj më parë / 14 kor 2026 10:58
Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se për Kosovën dita e 14 korrikut duhet të jetë thirrje për reflektim.

Sot pritet që Shqipëria e Mali i Zi të avancojnë drejt Bashkimit Evropian.

Tek i ka uruar këto dy shtete për avancimin, Hoxhaj ka thënë se askush s’po merret me Kosovën.

“Për Kosovën, kjo duhet të jetë një thirrje për reflektim. Deri para 7 vitesh, vendi ynë kishte një perspektivë shumë më të besueshme evropiane dhe gëzonte një mbështetje më të madhe nga partnerët tanë. Ndërkaq, qe 3 vjet Kosova pret që statusin e vendit kandidat ta shqyrtojë dikush, por ai ka mbetur në sirtarët e Bashkimit Evropian dhe askush nuk po merret me të. Sot, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen çdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në rajon në rrugën drejt anëtarësimit.  Kosova meriton ta rikthejë vendin e saj në agjendën evropiane dhe të ecë përpara me besueshmëri e vizion”, ka shkruar ai në Facebook.

Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në

1 muaj më parë / 14 kor 2026 08:46
Shqiperia

Shqipëria pritet t’i mbyllë sot tre kapituj negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në BE janë pajtuar që Shqipëria të mbyllë kapitujt me numra rendorë 25, 26 dhe 30, për të cilët ose nuk ka nevojë të negociohet fare ose Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Shqipëria do të mbyllë kapitujt 25 (Shkenca dhe Hulumtimet) dhe 26 (Arsimi dhe Kultura), kapituj të cilët në të kaluarën janë hapur dhe mbyllur përnjëherë, pasi për ta nuk ka ndonjë kornizë të përbashkët ligjore të BE-së, por vetëm disa parime themelore. Por, që nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit të BE-së, asnjë kapitull nuk ka mundur të mbyllet pa u miratuar një raport i ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e rendit dhe ligjit, raport i njohur me shkurtesën IBAR. Një raport i tillë për Shqipërinë është miratuar me disa muaj vonesë, pasi ka pasur rezerva nga ana e disa shteteve anëtare, por ky miratim së paku ka hapur rrugën që Shqipëria tash të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi vitin e kaluar kishte bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i hapur të gjithë kapitujt.

Por diplomatët nga vendet anëtare kanë përsëritur se “Shqipëria ka disa çështje rreth sundimit të ligjit” dhe se presin që Tirana të sigurojë punën e pavarur dhe të papenguar të gjyqësorit, sidomos të SPAK-ut. Në Bruksel dhe në disa kryeqytete të vendeve anëtare nuk ishin pritur mirë disa deklarata të kryeministrit Edi Rama, që u panë si përpjekje për të bërë presion ndaj SPAK-ut.

Shqipëria do të mbyllë edhe kapitullin 30, që ka të bëjë me politikën e jashtme. Rreth këtij kapitulli Shqipëria nuk ka pasur probleme asnjëherë, pasi është e përshtatur 100 për qind me pozicionet e BE-së në çështjet e jashtme, ndërkohë që është edhe vend anëtar i NATO-s.

Të njëjtën ditë pritet që Mali i Zi të mbyllë edhe dy kapituj të tjerë, duke arritur numrin e kapitujve të mbyllur në 18. Ndonëse dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në numrin e kapitujve të mbyllur do të jetë shumë i madh, këto dy vende tash konsiderohen si udhëheqëse në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sot pritet të hapen kapituj negociues edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Ndërkohë, përpjekja e Komisionit Evropian, Francës, Italisë, Spanjës, Greqisë dhe disa vendeve të tjera që të hapen kapituj edhe me Serbinë ka dështuar, sepse kundër ishin së paku nëntë vende anëtare të BE-së. Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet merren me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.