Për rastin e Sevdije Berishës nga Peja, e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra me sëpatë nga burri i saj, është folur në Kuvendin e Kosovës. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka ngritur shqetësimin se kjo dukuri ka tendencë të rritjes, raporton KTV.
Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, Grupi i Grave Deputete ka zhvilluar aktivitete në funksion të ndërgjegjësimit dhe të nxitjes së veprimeve për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, tha se rastet e shpeshta të dhunës ndaj grave kanë përfunduar disa herë edhe me fatalitet dhe për këtë ajo kërkon të merren masa për parandalimin e kësaj dukurie. E shefja e BE-së, Natalya Apostolova, theksoi se Bashkimi Evropian ka një të arritur të lartë për vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat e grave. Këtij aksioni të grave iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha se kjo dukuri e dhunës ndaj gruas është shqetësuese në shoqërinë tonë.