Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shpallet i kundërligjshëm vendimi për shujta për shërbyesit e Komunës së Prishtinës

Ministria e Financave e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës për ndarjen e shujtave ditore për shërbyesit civilë të komunës së Prishtinës, të miratuar më datë 21 shtator.

Shujta ishte paraparë të ndahej për punëtorët e administratës së Komunës së Prishtinës përmes kategorisë së shpenzimeve “Paga dhe shtesa”. Ajo ishte paraparë të kishte vlerën e pesë eurove.

Sipas një letre të dërguar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal drejtuar Komunës së Prishtinës është theksuar se me këtë vendim është shkelur Ligji për Menaxhim të Financave Publike për nenin që “precizon që paratë publike duhet të përdoren vetëm për qëllime të miratuara publike, si dhe të shpenzohen nga fondet e ndara dhe të alokuara”. Aty është përmendur edhe ligji për Ndarjet Buxhetore.

{gallery}

“Rrjedhimisht, konform interpretimit të kësaj dispozite, Ministria vlerëson se akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe për pasojë, Komunës së Prishtinës i pamundësohet realizimi i masës së përcaktuar në aktin komunal”, thuhet në vendimin e Ministrisë drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Ministria ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që për 30 ditë të rishqyrtohet akti e që të harmonizohet me dispozitat ligjore në fuqi.

Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka thënë në Facebook se “nuk kishte si të ndodhte ndryshe”.

“Partitë e pushtetit atë ditë e kishin vetëm një qëllim: para punëtorëve të Komunës të paraqiten se ata janë për kërkesat e tyre kurse LVV është kundër. Në fakt është krejtësisht e kundërta. Koalicioni i partive të vjetra nuk mërzitet për hallet e punëtorëve, ata e kishin, dhe e kanë vazhdimisht, për përfitime politike”, ka shkruar ai.

 

Artikuj të ngjashëm