Ferizaj, 21 janar - Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se ka pranuar një aktvendim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin i lejohet përmbyllja e procesit të likuidimit për ish-kooperativën bujqësore “Bujku” me seli në Kosinë të Ferizajt. Por, këtë aktvendim po e kundërshton shoqëria civile në këtë qytet me arsyetimin se institucionet duhet të kontaktojnë me ish-punëtorët e kësaj kooperative dhe t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre.
Autoriteti i likuidimit, pas kalimit të të gjitha procedurave, ka evidentuar se kjo ndërmarrje nuk posedon në emër të saj asnjë pronë apo aset, dhe si e tillë nuk ka të gjeneruar asnjë të hyrë nga privatizimi dhe shitja e aseteve përmes likuidimit. Pra, rrjedhimisht nuk disponon më fonde të likuidimit përmes të cilit do t’i përmbushte detyrimet ndaj kreditorëve. Po ashtu, nuk ka ndonjë dëshmi nëse kjo kooperativë ishte transformuar në shoqëri aksionare.
Por, Kenan Gashi, drejtor i rrjetit të OJQ-ve “Avonet”, ka thënë për KOHËN se institucionet publike është dashur t’i kontaktojnë të gjithë punëtorët e ish-kooperativës për ta kuptuar saktësisht statutin e tyre, sepse ata mund të ndjekin procedura në të ardhmen.
“Zgjidhja e problemit duhet të jetë si fakt që duhet ta ketë parasysh edhe çështjen e punëtorëve, të cilët kanë punuar dhe duhet ta dinë saktë se sa punëtorë kanë qenë aty dhe çka do të ndodhë me këta punëtorë. Nëse kjo dhomë e posaçme nuk i ka marrë parasysh këto, e ka shkelur një të drejtë dhe kjo e drejtë mund të jetë e ndëshkuar edhe mund të ndiqet me procedura të ndryshme gjyqësore. Pra, në këtë rast institucionet duhet t’i rishqyrtojnë vendimet dhe procedurat dhe t’i marrë parasysh shqetësimet e punëtorëve, sepse për fat të keq kemi parë se disa punëtorë kanë ngritur shqetësime rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Gashi. Sipas tij, punëtorët e ish-kooperativës bujqësore “Bujku” mund të iniciojnë procedura gjyqësore dhe mund t’i fitojnë ato.
“Institucionet duhet ta kenë parasysh nëse kjo ish-kooperativë ka pasur borxhe ndaj institucioneve dhe kush i merr përsipër ato borxhe, pastaj çfarë është roli i shuarjes dhe cilat janë përgjegjësitë e institucioneve. Pra, nëse një veprim i tillë nuk është analizuar mirë do të thotë se është një dilemë e madhe pse është ndjekur një veprim i tillë”, ka thënë Gashi.
KOHA ka siguruar disa dokumente lidhur me këtë ndërmarrje bujqësore, e cila ishte themeluar më 24 korrik të vitit 1989 dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të saj ishte caktuar Z.Z, i cili tashmë është i ndjerë. Sipas një dokumenti tjetër që ka siguruar KOHA, të hyrat nga privatizimi dhe shitja e aseteve përmes likuidimit janë zero, ndërsa shpenzimet e likuidimit kanë arritur vlerën prej 1.123.28 eurosh, të cilat janë mbuluar nga buxheti i Republikës së Kosovës përfshirë shpenzimet për njoftime që nga fillimi i likuidimit dhe shpenzimet e tjera operative.
“Autoriteti i Likuidimit i ka bashkangjitur raportit përfundimtar shkresën nga Dhoma e Posaçme, me të cilën konfirmohet se pranë Dhomës së Posaçme nuk është parashtruar asnjë ankesë kundër ndërmarrjes në fjalë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur vendime të marra nga Autoriteti i Likuidimit. AL, gjithashtu, ka marrë konfirmimet nga Administrata Tatimore e Kosovës se KB “Bujku” në Kosinë të Ferizajt ka obligime tatimore ndaj ATK-së. Kurse nga Komuna e Ferizajt kemi marrë konfirmime se KB “Bujku” nuk ka obligime të tatimit në pronë”, thuhet në një shkresë të AKP-së.
AKP-ja ka publikuar edhe një komunikatë për media për të njoftuar opinionin lidhur me këtë çështje.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton opinionin e gjerë publik se ka pranuar një aktvendim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK), me të cilët lejohet përmbyllja e procesit të likuidimit për GJI 136 Kooperativa Bujqësore “Bujku” me seli në Kosinë/Ferizaj. Agjencia, në pajtim me Ligjin, më parë ka parashtruar kërkesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për aprovim të Raportit Përfundimtar dhe rrjedhimisht lejimin e mbylljes së procesit të likuidimit për këtë KB, ndërsa Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës përmes këtij aktvendimi e ka aprovuar këtë raport përfundimtar dhe ka dhënë leje për mbylljen e procesit të likuidimit për KB-në e lartcekur”, thuhet në komunikatën e AKP-së. Sipas tyre, si rrjedhojë pas Aktvendimit të fundit të DHPGJSK-së numri i NSH-ve për të cilat deri më tani është përmbyllur procesi i likuidimit në tërësi ka arritur në 33 NSH/KB/Asete. “Raportet përfundimtare janë postuar në web faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Njëkohësisht, Gjykata ka caktuar një afat prej 15 ditësh për ndonjë ankesë eventuale ndaj këtij aktvendimi dhe pas kalimit të këtij afati ky aktvendim bëhet i plotfuqishëm dhe njoftimet për përmbyllje të likuidimit për këtë subjekt Agjencia Kosovare e Privatizimit do t’ua dërgojë institucioneve relevante ashtu siç parashihet me Ligjin e AKP-së”, thuhet në fund të komunikatës.
Sabri Murseli, drejtor për Pronë dhe Kadastër në Komunën e Ferizajt, ka thënë për KOHËN se komuna e kishte njoftuar AKP-në se ish-ndërmarra bujqësore “Bujku” nuk posedon ndonjë pronë apo aset në Komunën e Ferizajt dhe se nuk ka ndonjë obligim ndaj institucionit. Sipas tij, kjo ndërmarrje ka mundur të ketë vetëm ndonjë objekt në shfrytëzim për ndërmjetësim të produkteve bujqësore, andaj institucionet përkatëse kanë vendosur që kjo ndërmarrje të shuhet.
© KOHA Ditore