Ekzekutivi i Komunës së Shtimes i udhëhequr nga kryetari Naim Ismajli ka nisur të bëjë riformatimin e stafit politik. Në mbledhjen e Bordit të ekzekutivit të martën janë emëruar dy drejtor të rinj, përkatësisht në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe atë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Dy drejtorët e mëhershëm kanë dhënë dorëheqje.
Por përfaqësues të shoqërisë civile, që monitoron zhvillimet në institucionet publike në Shtime, kanë kërkuar që të bëhet riformatim më i thellë brenda Komunës. Sipas OJQ-ve, riformatimi është i nevojshëm për të eliminuar fenomenin e familjarizmit në institucione dhe për të “freskuar” qeverisjen me kuadro të reja, raporton KOHA.
Kenan Gashi, drejtor në rrjetin e OJQ-ve “Avonet”, ka thënë se edhe në të kaluarën kanë qenë të zëshëm që të bëhet një riformatim i ekzekutivit në Shtime me qëllim që të jetë qeverisje më efikase.
“Komuna e Shtimes ka filluar të bëjë ndryshim të tillë, edhe pse ne kemi shqetësime kur disa prej ekzekutivit kanë lidhje farefisnore, dhe kjo shkakton konflikte të interesit e keqmenaxhim të parasë publike. Ne shprehim shqetësimin tonë se në këtë mënyrë nuk do të ketë qeverisje të mirë, e po ashtu edhe vlerësimi i qytetarëve do të jetë negativ në raport me institucionet komunale”, ka thënë Gashi.
Qëndrim Hoxha, përfaqësues nga asociacioni për lidershqip dhe Ballkan “LDA” , ka thënë se riformatimi i stafit të ekzekutivit gjithherë është i nevojshëm.
“Shoqëria civile gjithmonë jemi për ndryshime, por në këtë periudhë kohore të pandemisë nuk mund të themi se a ka qenë apo jo i nevojshëm një riformatim i tillë, por nuk mund të themi nëse drejtorët e rinj do ta keni një super-performancë të mirë. Sidoqoftë, nga drejtorët e rinj presim angazhim më të madh dhe zgjidhje të problemeve të qytetarëve”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, në shumë raste ndryshimet reflektojnë pozitivisht, mirëpo drejtorët e emëruar nga kryetari Ismajli duhet të angazhohen dhe të tregojnë performancë të mirë të punës.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se dy drejtorët e kaluar në sektorin e shërbimeve publike dhe në shëndetësi kanë treguar performancë të mirë. Ai ka bërë të ditur se në Drejtorinë për Shërbime Publike është emëruar Hamës Tërshani, ndërkaq në atë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Musa Baftiu.
“Kemi pasur dy dorëheqje të dy drejtorëve, sigurisht se arsyet e tyre janë personale, ndërkaq gjatë gjithë kohës që kemi punuar bashkërisht kemi pasur korrektësi, andaj ata si drejtorë kanë pasur një performancë të mirë në punë”, ka thënë Ismajli.
Për dy drejtorët e rinj ai ka thënë se kanë përvojë të gjatë menaxheriale.