Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Shtime ka mbetur pa menaxhmentin e deritashëm. Kryetari i Komunës ka thënë se vendimi është marrë me qëllim të rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve e të shkarkuarit kanë paralajmëruar padi ndaj tij, pasi kanë thënë se vendimi ishte i padrejtë dhe politik.
Ekzekutivi i Komunës së Shtimes ka shkarkuar të gjithë stafin menaxherial në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili vetë është mjek me profesion, thotë se vendimi është marrë me qëllim të rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shkarkimi në QKMF i stafit ka ndodhur atje pas një gjendjeje të mjerueshme dhe pas një auditimi që ka ndodhur nga auditori i brendshëm, i cili ka nxjerrë mangësi menaxheriale të jashtëzakonshme”, ka thënë Aliu.
Por zyrtarët e shkarkuar kanë akuzuar lidershipin e ri të Komunës për vendime të padrejta dhe politike.
Në mesin e të shkarkuarve është edhe Behxhet Hyseni, i cili ka qenë kryeinfermieri i shërbimit emergjent primar. Ai thotë se gjatë 36 vjetëve sa ka përvojë, punën e ka kryer me nder dhe profesionalizëm.
“Le ta dijë kryetari ynë që mua kjo po më bëhet dhuna e dytë psikike. Për Serbinë e kemi ditur se çfarë ata mendojnë për neve, por mua si punëtor i vjetër me këtë përvojë dhe pa pasur asnjë vërejtje nga asnjë punëdhënës i deritashëm, dhe me ardhë puna po të shkarkoj vetëm për qëllime politike, unë kujtoj se ky është një turp që nuk e di se si mbulohet”, ka thënë Behxhet Hyseni, ish-kryeinfermier i shërbimit emergjent primar në Shtime.
Çështja e këtyre shkarkimeve ka nxitur të premten debat edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal.
“Në QKMF janë shkarkuar katër punonjës për çështje politike. A mendoni se ju keni bërë shkelje të ligjit të punës duke pasur parasysh se këta zyrtarë kanë kontrata të përhershme dhe performanca e tyre gjatë 22 vjetëve ka qenë e shkëlqyer, madje disa prej tyre kanë qenë kontributdhënës edhe para luftës”, ka thënë asamblisti i PDK-së, Rrahman Jakupi.
Punonjësit shëndetësorë të shkarkuar kanë paralajmëruar padi ndaj Komunës e edhe ndaj kryetarit Qemajl Aliu.