Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shoqëria Civile do që kandidatët nga procesi i kaluar të mos zgjidhen Komisioner për Informim dhe Privatësi

Foto: Driton Paçarada / KD

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë dërguar një letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës, saktësisht Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në lidhje me procesin e dytë për përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Në letrën e përbashkët, Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti GAP, Instituti D4D, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Flutura Kusari, thonë të jenë njoftuar që nga 20 kandidatët që kanë aplikuar, Kuvendi pritet të intervistojë nëntë prej tyre.

Katër nga këta kandidatë – Bujar Sadiku, Jeton Arifaj, Muharrem Mustafa dhe Nexhat Jashari - kanë aplikuar pa sukses edhe në procesin e parë të përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi, thuhet në letër.

“Edhe pse jemi njoftuar që procesi konsiderohet që të ketë nisur prej fillimit, duke qenë kërkesat dhe kushtet e njëjta, besojmë që kandidatët e procesit të kaluar që kanë aplikuar përsëri do të duhej të vlerësoheshin njëjtë. Bazuar në përvojën e tyre profesionale dhe performacën e tyre gjatë intervistave të mbajtura në procesin e parë, asnjëri nuk arriti të plotësojë kriteret për t’u përzgjedh Komisioner. Ju rikujtojmë që të gjithë ne bashkërisht, Ambasada Britanike, Ju të nderuar anëtarë të Komisionit dhe ne si shoqëri civile patëm arritur në të njëjtin përfundim, pra që asnjëri nga ta nuk i plotëson kushtet për t’u bërë Komisioner. Nuk shohim asnjë bazë që vlerësimi të jetë ndryshe edhe kësaj radhe”, thuhet në letër.

“Në veçanti, kërkojmë nga ju që të merrni seriozisht shqetësimet tona lidhur me kandidatët Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi, të listuara në letrën e dërguar më parë, të cilën po ua ridërgojmë përsëri. Kërkojmë nga ju ta verifikoni nëse a) Bujar Sadiku është ‘njeriu i PDK-së’ ashtu siç i janë referuar në media, dhe b) nëse Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi kanë punësuar familjarët e tyre në Agjencionin Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP). Po ashtu, ju lutemi të keni parasysh që Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të shumta në ASHMDP, gjatë kohës sa të dy këta kandidatë kanë qenë duke e udhëhequr këtë institucion”, thuhet më tej në këtë letër.

Po ashtu, vazhdon më tej letra e përbashkët, sipas informatave që thonë se i kanë këto OJQ e individë, “kandidati Arsim Tërnava ka qenka qenë donator i Partisë Demokratike të Kosovës ndërsa kandidati Burim Sallova duhet të dëshmojë përmes tatimeve të paguara nëse vërtetë ka qenë menaxher për pesë vjet në një kompani private”.

Edhe Pushteti s’dëgjon opozitën e shoqërinë civile, nis votimin për komisionerin për Informim Arbëri Pushteti s’dëgjon opozitën e shoqërinë civile, nis votimin për komisionerin për Informim

Shoqëria Civile thotë janë duke hulumtuar edhe për kandidatët tjerë.

“Në rast që gjejmë informata relevante për procesin, do të ju drejtohemi menjëherë”, thuhet në letër. “Në fund, ju njoftojmë që ne mbesim të përkushtuar të marrim pjesë gjatë intervistimit të kandidatëve – me një ose më shumë përfaqësues – dhe ju lusim që të na informoni të gjithëve për kohën e mbajtjes së intervistave sa më herët që është e mundur”, thuhet në fund të letrës.