Numri i të infektuarve në Komunën e Podujevës me virusin COVID-19 ka shkuar në tre.
Dyshohet se dy rastet e tjera të konfirmuara dje dhe sot janë familjarë të personit nga fshati Dumnicë e Epërme, i cili ka rezultuar pozitiv në mbrëmjen e së dielës.
Gazeta ka raportuar edhe të martën se prindi dhe motra të këtij personi janë dërguar në Klinikën e Infektivës për t’iu bërë testet nëse janë të prekur me koronavirus. Këtë e kishte konfirmuar vetë epidemiologia në QKMF-në e Podujevës, Bedrie Rama.
“Po, prindi është dërguar dje pasdite (e hënë v.j.) për testim për COVID-19. Ka pasur simptoma, po jo shumë të theksuara. Mirëpo, ka edhe sëmundje kronike, është i moshuar dhe e kemi dërgua për verifikim. Sot (e martë v.j.) ka shkua për testim edhe një e dyshuar me COVID-19. Edhe kjo ka pasur shenja të lehta, por pasi ka pasur kontakt me personin që ka dalë pozitiv, e kemi dërguar që ta vërtetojmë”, kishte thënë për KOHË-n, Bedrie Rama.
Ndërkohë në komunikatën për media të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thuhet se sot ka rezultuar pozitiv me virusin SARS-CoV-2 personi i gjinisë femërore 55 vjeçare nga fshati Bradash i Podujevës.
Epidemiologia Rama pasditen e mërkurë nuk iu është përgjigjur thirrjeve të KOHË-s. Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së në Podujevë, Fahri Llugaliu, ka thënë se tashmë janë konfirmuar babë e bir nga Dumnica e Epërme të prekur me koronavirus.
Edhe një rast i konfirmuar me koronavirus në Kosovë, numri shkon në 20
“Sipas epidemiologes që e kemi ne në QKMF, që ka marrë informacion nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, deri tash janë konfirmuar dy raste djali dhe prindi. Dhe rastit të tretë i është bërë testi njëherë i ka dalë negativ dhe ka mbetur me iu përsërit edhe njëherë”, ka thënë nëpërmjet telefonit Fahri Llugaliu. Kur i është komunikuar lajmi i IKSHP-së, atëherë Llugaliu ka thënë se bëhet fjalë për motrën e të prekurit të parë me koronavirus.
“Po flas sipas epidemiologes që është në kontakt me IKSHP-në”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, vëllai i të prekurit të parë me COVID-19 nga Dumnica e Epërme ka thënë se zyrtarisht askush nuk i ka njoftuar se çfarë rezultati ka dalë nga testi për prindin e tij dhe motrën që është e martuar në fshatin Bradash.
“Informatën e kemi që ka hy (prindi v.j.) në një dhomë me vëllaun, po nuk e kemi informatën zyrtare (për rezultatin v.j.), nuk na ka lajmëruar kurrkush neve familjes. As për motrën zyrtare nuk kemi. Mosha e saj është 54 vjeçe. E kam parë lajmin, por nuk e di saktë a është ajo”, ka thënë ky familjar. “Gjendja është stabile, shqetësimet ne si familjar i kemi normal, jo vetëm për familjarët tonë, por nuk kemi dëshirë që të përhapet askund. Ku të ndalet është mirë. Ishalla shërim krejtëve pa marrë parasysh ku janë. Ne tjerët nuk kemi probleme shëndetësore, por jemi të shqetësuar pak, por nuk ka vend për panik”.
Megjithëse, ishte raportuar se këtyre familjeve u mungojnë gjërat ushqimore, ky familjar thotë se telashet më të mëdha i kanë pasur për mjete higjienike dhe maska.
“Të furnizuar jemi. Na kanë kontaktuar shumë dashamirë, por edhe prej komune. Ma shumë ka qenë problemi me mjete higjienike e maska. Unë për vete para një jave kam shkua me ble, po nuk kam gjet në barnatore as maska e as dorëza. Komuna mbrëmë na ka sjellë detergjent, sapunë e disa gjana ushqimore. E maska jo, na thanë se nuk kanë gjet. Neve na duhet më shumë mbështetje morale, se e kemi shqetësimin edhe për familjarët edhe për të gjithë të tjerët”, ka thënë ai.