Arbëri

Shkollimi brenda burgut

Në Burgun e Dubravës, mes mureve të larta betoni dhe telave me gjemba, ndodhet një ndërtesë që nga jashtë nuk duket si pavijon i zakonshëm e në të zhvillohet mësimi. Të burgosurit ndjekin orët në banka të thjeshta me tabela, lexojnë libra në minibibliotekë dhe marrin dijeni profesionale si instalues, saldator apo automekanik. Shkolla paralele e mesme teknike e shkollës “Mit’hat Frashëri” në Gurrakoc të Istogut ofron mundësi për risocializim dhe arsimim të të burgosurve

Në një hapësirë prej 130 hektarësh të rrethuar me mure të larta betoni dhe tela gjembash, ku të dënuarit kalojnë përditshmërinë e tyre, syri ndalet në një ndërtesë që nga jashtë nuk i ngjan një pavijoni të zakonshëm të burgut. Por vetëm kur afrohesh shpërfaqet një realitet tjetër.

Vetëm grillat e hekurit në dritare janë ato që e bëjnë dallimin e këtij objekti nga shkollat zakonshme jashtë hapësirës së Burgut të Dubravës. 

Në hyrje të saj ndodhet një minibibliotekë, ku të burgosurit marrin libra për lexim. Në anën e djathtë shtrihet një korridor që të çon drejt klasave, ku zhvillohet mësimi. 

Brenda tyre bankat e thjeshta dhe tabelat e zeza shërbejnë për orët e shkollës, teksa 38 të burgosur në fillim të shtatorit kanë nisur të ndjekin mësimin. Ata vijojnë mësimet në shkollën e mesme teknike, si paralele e shkollës së mesme teknike “Mit’hat Frashëri” në Gurrakoc të Istogut.

Mësimi zhvillohet në kuadër të programeve të risocializimit dhe riedukimit për të dënuarit që nuk e kanë mbaruar shkollimin e mesëm. 

Njëri prej tyre është një 32-vjeçar, që vuan dënimin tash e 12 vjet. Ai kishte përfunduar vetëm shkollën fillore, ndërsa javën e kaluar ka nisur klasën e 10-të.

“E kom ndalë shkollën pak herët, e kam përfunduar vetëm klasën e 9 të edhe kam vendosur me u kthy në shkollë, sepse tash pa e përfundu shkollën e mesme nuk mundesh me bo kurgjo. As nuk mundesh me punu e as korril nuk mundesh me u bo. Është një mundësi  e mirë që e gjejmë veten edhe ne kur të lirohemi nga këtu”, është shprehur i burgosuri.,

Për të rikthimi në bankat shkollore është emocionues.

“Pak rëndë, sepse unë kam mbajt kogja shumë burg për moshën që e kam se hala 32 vjet nuk i kam, 12 vjet i kam mbajtë mshel, pak rëndë tash se po e kam atë ndjesinë shpirtërore që mirë ama po me emocion, po emocionona sepse kam qenë në tjetër jetë krejt e tash me u kthy edhe një herë prej fillimi është ndryshe po kjo është një mundësi shumë e mirë”, ka thënë i burgosuri.

Ndërsa një shok i tij i klasës thotë se ky është një rast i mirë që njëkohësisht të kryejë dënimin dhe të vazhdoj shkollimin.

“Kam shkuar deri në klasën e 12-të. Rikthimi po më doket shumë i mirë se po kthehen senet e shkollës, ne po jemi veç në pavijon të mbyllur po je i interesuar për shkollë. Kur ke qenë më i ri nuk i ke menduar do sene në shkollë p.sh. vjen këtu i mëson do sene edhe e sheh që me shkollë arrin diçka e jo me probleme, sepse me probleme arrin në burg dhe nuk ke një të ardhme. Unë e shoh për vete shkollën mundësi të mirë në burg”, ka thënë i burgosuri tjetër.

Një tjetër i burgosur rrëfen se synon që pas përfundimit të shkollimit të aftësohet për të punuar si mekanik, një profesion që shpreson ta ushtrojë sapo të lirohet nga burgu.

“Kam vendosur me ardhë në shkollë për shkak të risocializimit dhe me pasë statusin e shkollës, me pasë njohuri më shumë, mos me qenë në pavijon shumë i mbyllur mbasi në liri, si i ri kemi bërë gabime, nuk e kemi ndjekë shkollën dhe për ta shfrytëzuar për mirë është shumë mirë. Shumë mirë që është ofruar kjo mundësi me u shkollu, me u risocializu. Unë e kam filluar drejtimin automekanik edhe e pëlqej edhe kam njohuri në këtë lëmi edhe besoj që kam me kry jashtë këtë shërbim që po e kryej këtu”, ka thënë ai.

Koordinatori i shkollës së mesme teknike “Mit’hat Frashëri” në Gurrakoc, Fatmir Sylaj, i cili njëkohësisht është edhe mësimdhënës në shkollën paralele brenda burgut, thotë se mësimi në Dubravë zhvillohet njësoj si në shkollat e tjera të zakonshme dhe ndjek të njëjtin sistem si shkolla amë.

“I vetmi ndryshim që do të thosha është pak koha më e shkurtë sesa nëpër shkollat tjera, orët zhvillohen njësoj. Kushtet nuk janë në nivel sikurse nëpër shkolla, sepse tash teknologjia ka avancuar e shumica e shkollave kanë edhe tabela digjitale. Përndryshe procesi mësimor zhvillohet thuajse njësoj, por orët mbahen njësoj, shpjegimet janë njësoj”, ka thënë Fatmir Sylaj. 

Ai ka lavdëruar të burgosurit/nxënës për disiplinën që tregojnë në orë mësimi. Thotë se ajo është më e madhe sesa e nxënësve të rregullt.

“Zakonisht e kemi drejtimin e makinerisë dhe profile të ndryshme. Profile si instalues i ujit, instalues i ngrohjes, i klimatizimit, automekanik, saldator. Varësisht edhe prej rrethanave të cilat mundemi me i zhvillu në praktikë profesionale më shumë. Ne e kemi punëtorin e shkollës që d.m.th. ka për drejtime që i përmenda, ka materiale, ka mjete të punës edhe në bazë të këtyre dhe rrethanave të cilat ekzistojnë ne edhe duhet t’i përshtatemi”.“ Interesi i tyre raste-raste. Ndonjëherë është interesimi më i madh por dëgjueshmëria mendoj që është më e madhe sesa nëpër shkolla jashtë. Arritjet për shkak të moshës dhe pjekurisë besoj që munden me u arrit më shumë”, është shprehur Sylaj.

Udhëheqësi për arsim, trajnim dhe punësim në Burgun e Dubravës, Jeton Mehmetaj, ka folur për rëndësinë e shkollimit dhe programeve risocializuese për të burgosurit.

“Qëllimi i arsimimit në vetvete është arsimimi dhe shkollimi i njerëzve që nuk e kanë përfunduar shkollimin dhe në anën tjetër është edhe riedukimi dhe risocializimi i tyre. Përmes arsimimit edhe arrin një tjetër nivel të  edukatës, por edhe të profesionit të caktuar”.“ Përmes programeve risocializuese dhe profesionale ata ndryshojnë të menduarit e tyre, pendohen për veprat penale që kanë bërë, janë më të rezervuar dhe më të përmbajtur ndaj thyerjes se normave dhe ligjeve në shoqëri”, ka thënë Jeton Mehmetaj.

Ai ka shtuar se mosha e të burgosurve të regjistruar në shkollë varion nga 18 deri në 60 vjeç. 

“Të burgosurit të cilët nuk e kanë përfunduar shkollën e mesme për ndonjë arsye  apo kanë mbetur në gjysmë të shkollimit e kanë mundësinë të vazhdojnë dhe të përfundojnë shkollën e mesme teknike me drejtime shumë të mira e që realisht janë shumë të kërkuara edhe në tregun e punës. Munden me u bë instalues të ujit dhe të kanalizimeve, ngrohjes, munde me dalë saldator të mirë, automekanik të mirë. Ju shërben, diploma është e njëjtë me diplomën që e merr një nxënës i shkollës së mesme profesionale jashtë”, është shprehur Mehmetaj.

Qendra Korrektuese e Dubravës disponon gjithashtu bibliotekën dhe sallën e leximit. Po ashtu ka objekt të teatrit, ku organizohen shfaqje kulturore dhe teatrale.

Një pjesë e të burgosurve janë të angazhuar me punë dhe mirëmbajtjen e ambienteve të institucionit, si: kuzhinë, furrë, blegtori, bujqësi, lavanderi, kopshtari, rrobaqepës e automekanik.