Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shihet e domosdoshme futja e edukimit medial në shkolla

Shihet e domosdoshme futja e edukimit medial në shkolla

Zenun Nimani, nga shkolla e mesme e ulët “Ali Hasi” ka thënë se edukimi medial duhet të fillojë qysh herët në shkolla.

Sipas tij, para katër vjetëve është kryer trajnim me organizimin e SBASHK-ut nga profesorë të gazetarisë.

I ftuar në emisionin “EduMedia” të KTV-së, Nimani ka thënë se është në përgatitje të një projekti në kuadër të edukimit medial.

“Fatkeqësisht në Kosovë mësimi zgjedhor është përfshirë vetëm si plotësim i normës dhe nuk është bërë zgjedhja e duhur e lëndëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka mundësi që kjo lëndë të shtrihet edhe në lëndët tjera. Ai ka thënë se duhet analizuar mirë se çfarë u ofrohet nxënësve.

“Nxënësit nga klasa e 11-të janë shumë më të pjekur, por më delikate është mosha më e re. Edhe informacionet nga mediat duhet shikuar dhe analizuar se sa jemi të ndikuara nga to. Duhet analizuar se çfarë shikojnë nxënësit, sa kohë kalojnë në media dhe në pajisje teknologjike. Këtu është mungesë e futjes së edukimit për media në kurrikulën e rregullt”, ka thënë ai.

Ndërsa Fjolla Gashi, mësimdhënëse në shkollën e mesme të lartë “Sami Frashëri”, ka thënë se nevojitet që në shkolla të ketë edukim medial në mënyrë që të evitohet manipulimi i lehtë nga propagandat që bëhen në media, veçanërisht në kohë lufte.

Në emisionin “EduMedia”, Gashi ka përmendur një fotografi që është bërë virale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku shihet një grua refugjate duke e ushqyer fëmijën e saj teksa ka ikur për në Maqedoni në kolonën prej më shumë se dy mijë personash.

Gashi ka thënë se kjo fotografi e shkrepur nga një media e njohur ndërkombëtare, është përdorur nga ambasada ruse në një vend në Afrikë, për të manipuluar me këtë vend që nuk ka informacione mbi luftën e fundit në Kosovë.

“Në momentin kur ka filluar lufta Rusi-Ukrainë, unë menjëherë e kam përmendur që propagandat më të mëdha në media bëhen në kohë lufte sepse kanë material të vazhdueshëm dhe manipulohemi shumë lehtë. Ne e kemi pasur një foto të Sherife Lutës, një refugjate në vitin 1999 në kufirin me Maqedoninë për të kaluar në Bllacë, ka qenë me dy mijë refugjatë prapa saj. Ajo fotografi është bërë nga Reuters, mirëpo pas 20 vjetësh, propaganda ruse, ambasada ruse atë foto e ka marrë dhe e ka dërguar në Afrikë diku, një terren që nuk ka informacione për luftën e fundit. Aty ka ndodhur manipulimi”, ka thënë Gashi.

Artikuj të ngjashëm