Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është shfaqur rasti i parë i infektimit me virusin Covid-19 te stafi mjekësor.
Këtë rast e ka konfirmuar për KOHËN, Shtabi Emergjent i Komunës së Pejës.
“Në Spitalin e Pejës kemi një të infektuar nga stafi mjekësor. Është mjeke në repartin neonatal. Sot do të testohet stafi mjekësor”, tha Petrit Loci, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Pejë dhe zyrtar për kontaktim i Shtabit Emergjent. Rastin e ka konfirmuar edhe drejtori i këtij spitali, Skender Dreshaj, i cili ka pohuar se neonatologia nuk është infektuar në spital, ndonëse ka trajtuar foshnjën e një paciente që ka lindur javën e kaluar në këtë spital, e cila pasi është liruar është diagnostikuar me virusin Covid-19.
“I kemi dy raste që kanë marr shërbime javën e kaluar në Spitalin e Pejës, e të cilët pastaj kanë rezultuar pozitivë në Covid-19. Njëri rast është një shtatzënë që javën e kaluar ka pas një lindje normale dhe ka lindur një foshnje të shëndosh dhe pastaj ajo është liruar dhe ka shkuar në shtëpi. Por ndërkohë ajo është diagnostikuar pozitivisht në virusin korona. Kurse foshnja ka dal negativ në testim”, tha Dreshaj. Sipas tij pacientja që ka lindur ka qenë vetëm në dhomë dhe pasi është liruar janë dezinfektuar hapësirat. Ndërsa, neonatologia që ka dal pozitiv në test, siç tregoi Dreshaj, nuk është dërguar për testim nga Instituti, por ka shkuar vetë.
“Ajo e ka trajtuar foshnjën e porsalindur të nënës që ka rezultuar pozitiv. Por foshnja ka dal negativ në test dhe mjekja ka punuar me masat mbrojtëse. Kështu që nuk e dimë se ku është infektuar mjekja, pasi ajo ka trajtuar foshnjën me masa të mbrojtjes”, pohon Dreshaj.
Personeli i Gjinekologjisë dhe i Neonatologjisë, edhe pse asnjë prej tyre nuk ka ndonjë simptomë, sipas Dreshajt, ka qenë i shqetësuar dhe për këtë do të testohen.
Pacientja që ka lindur që dhe ka dal pozitiv në virusin Covdit-19, ka qenë njëra prej pacienteve të gjinekologut nga Gjakova, i cili ditë më parë është diagnostikuar me koronavirus. Ndërsa rasti tjetër që është trajtuar në spital javën e kaluar e që pastaj ka dal pozitiv sipas drejtorit të Spitalit, ka qenë një i moshuar nga komuna e Istogut.
“Rasti tjetër është një pacient i moshuar nga komuna e Istogut i cili ka pasur gjakderdhje në tru dhe i cili pasi është trajtuar dhe stabilizuar është transportuar në Klinikën e Neorologjisë në Prishtinë. Dhe atje i është bërë testi dhe ka rezultuar pozitiv”, tha Dreshaj.
Në repartin e neurologjisë janë dy teknikët të anestezionit dhe një anestiozologe që e kanë bërë intubimin e këtij pacienti nga Istogu. Edhe këta tre do të testohen, pavarësisht se siç thotë Dreshaj, kanë punuar me masat mbrojtëse. “Asnjëri prej personelit mjekësor në të dy repartet nuk është në izolim ngase Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka vlerësuar se të gjitha masat mbrojtëse kanë qenë të ndërmarra dhe nuk ka pas arsye për izolim dhe që të dy pacientët janë trajtuar në bazë të protokollit. Personeli ka qenë me masat mbrojtëse, rroba mbrojtëse dhe maska”, tha Dreshaj.
Të hënën Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka marr mostrat për testim të rreth 20 vetave të personelit mjekësor të këtij Spitali. Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, komuna e Pejës nga mbrëmja e ditës së shtunë, është shpallur zonë karantine. Aktualisht janë 72 raste të diagnostikuara me virusin Covid-19. Shumica e rasteve ndërlidhen me pjesëmarrjen e madhe në një varrim dhe në të pame për një vajzë 17 vjeçe që vdiq më 6 prill. Burimi i infeksionit masiv në këtë rast të vdekjes ende nuk është identifikuar, por e sigurt është, siç thotë drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, se virusi është sjellë prej ndonjë personi të një komune tjetër që ka marr pjesë në ceremoninë mortore apo që ka shkuar për ngushëllime.
Aktualisht të konfirmuar me virus Covid-19 ka në qytet, shumica në lagjen Kristal, si dhe në fshatrat Bllagajë, Vitomiricë, Lutogllavë, Nabergjan dhe Nakëll.
Përveç masave që aktualisht janë në fuqi, Shtabi Emergjent është duke diskutuar edhe për vendosjen e masave shtesë.
“Aktualisht është shtuar monitorimi në terren dhe nëse e shohim këto ditë se paraqitet rreziku i shtimit të rasteve, atëherë do të vendoset nga Komuna në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për masat shtesë në komunën e Pejës”, tha Loci.