Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Rruga “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet është shembur si pasojë e një rrëshqitjeje të dheut të dielën.

Si pasojë, janë shkaktuar ndërprerje të menjëhershme të qarkullimit në këtë segment.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook nga faqja e komunës, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Inspekcionit, KEDS-it, Ujësjellësit dhe Policisë, të cilat kanë ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe shmangien e rrezikut për qytetarët.

Zona është rrethuar dhe rruga mbetet e pakalueshme për automjete dhe këmbësorë, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren.

"Rruga është e bllokuar për qarkullim. Lusim qytetarët që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren", thuhet në njoftim.
 

Për këtë rast, kompania rajonale e ujësjellësit "Prishtina", ka njoftuar se furnizimi me ujë është ndërprerë në rrugët "Mehmet Shpendi", "Bislim Islami", "Don Stjefan Kurti", rrugën "Kiri", "Agim Prodani", "Ymer Bytyqi" dhe "Visar Thaqi". Po ashtu është ndërprerë rryma në disa zona. 

Pronari i një kompanie ndërtimi është intervistuar, ndërsa kryetari i Prishtinë, Përparim Rama, ka njoftuar se janë pezulluar disa inspektorë. 

 

 


 

Pacolli për shembjen e rrugës në Prishtinë: Pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve

1 muaj më parë / 29 mar 2026 22:03
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se shembja e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve të ndërtimit. 

Ajo ka thënë se Ministria do të bëjë përpjekje që me Planin e ri Hapësinor të Kosovës të vendosë kreitere të rrepta dhe standarde që “nuk lejojnë improvizime në dëm të qytetarëve”. 

“Kjo që shohim në Prishtinë është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve. Respektimi i ligjit dhe i kritereve teknike është jetik për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, punëtorëve dhe stabilitetin e infrastrukturës sonë, andaj llogaridhënia duhet të jetë e plotë dhe e panegociueshme. Pavarësisht rezistencës nga grupet e interesit apo politika e mësuar pa llogaridhënie, ne si Ministri po po punojmë që të vendosim rend dhe rregull. Edhe komunat duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të ndëshkohen për mungesën e inspektimit të mirëfilltë dhe mosrespektimin e standardeve në ndërtim. Për t’i dhënë fund kësaj mbrapshtie që është instaluar për vite me radhë, ne si Ministri do të bëjmë përpjekje që me Planin e ri Hapësinor të Kosovës të vendosim kritere të rrepta dhe standarde që nuk lejojnë më improvizime në dëm të qytetarëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook. 

Shembja e rrugës në Prishtinë, Rama pezullon disa inspektorë dhe kërkon hetim nga prokuroria

1 muaj më parë / 29 mar 2026 21:47
Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Prokuroria që t’i nisë hetimet lidhur me rastin e shembjes në rrugën “Don Shtjefën Kurti”. 

Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se ofron bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion të nevojshme për zbardhjen e rastit. 

Ai ka treguar edhe se ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë dhe ndalimin e çdo përfshirje të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimit. 

“Kërkoj nga Prokuroria që të nisë menjëherë procedurat hetimore! Ofroj bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion që është i nevojshëm për zbardhjen e rastit. Nga Drejtoria e Inspeksionit kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë dhe ndalimin e çdo përfshirjeje të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimeve!” – ka shkruar Rama. 

Ai ka thënë se ka kërkuar proces të brendshëm për t’iu verifikuar raportet e inspektimit dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje e mundshme ka thënë se do të vijë menjëherë largimi nga puna dhe ndjekja penale. 

“Nëse konstatohen shkelje, do të ketë masa të menjëhershme nga largim nga puna deri në ndjekje penale! Gjithashtu, jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kryeqytetit, nga të cilët jemi njoftuar që të gjitha njësitë do të kenë prioritet menaxhimin e situatës së sotme dhe ruajtja e rendit publik në këtë zonë! Lus qytetarët që të evitojnë lëvizjen në këtë zonë deri në stabilizimin e situatës”, ka shkruar Rama. 


 

Prokuroria interviston pronarin e kompanisë përgjegjëse pas shembjes së dheut në Prishtinë

1 muaj më parë / 29 mar 2026 21:46
Komuna e Prishtines

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka intervistuar të dielën pronarin e kompanisë përgjegjëse për punimet në ndërtesën ku ndodhi shembja e dheut të dielën në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, hetimet lidhur me rastin e rrëshqitjes së dheut kanë nisur, ndërsa i intervistuari është liruar meqë hetimet ndodhen ende në fazën fillestare. 

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se është autorizuar Policia e Kosovës, dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë. Pas intervistimit ai është liruar, për shkak se jemi ende në fazën e grumbullimit dhe mbledhjes së provave relevante lidhur me rastin në fjalë”, kanë thënë për KOHËN nga Prokuroria. 

Tutje është bërë e ditur se prokurori i shtetit është në ndërmarrjen e të gjitha procedurave ligjore lidhur me këtë çështje.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi rrethanat e ngjarjes.

Sveçla: Në Prishtinë shemben rrugët, pasi është shembur sistemi

1 muaj më parë / 29 mar 2026 21:18
Gëzim Sveçla

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë të dielën. 
Në një postim në Facebook, Sveçla, ka akuzuar kryetarin Përparim Rama për situatën. Ka thënë se janë bërë ndërtime pa kontroll e janë lëshuar leje ndërtimore pa standard.

“NË PRISHTINË SHEMBËN RRUGËT, SEPSE ËSHTË SHEMBUR SISTEMI. Ndërtime pa kontroll, leje ndërtimore pa standard, institucione pa funksion dhe qytetarë nën rrezik. Ky është bilanci i një qeverisjeje që ka humbur çdo lidhje me realitetin. Kjo është pasoja kur kryetari sillet si figurë e politikës qendrore dhe pozitën e të parit të qytetit e shfrytëzon për spektakël, jo për shërbim. Përparim Rama ka zgjedhur imazhin personal mbi përgjegjësinë institucionale, propagandën mbi punën. Ndërkohë, Prishtina po paguan çmimin me kaos urban, me pasiguri dhe me një qytet që po rrëshqet çdo ditë më poshtë. Qytet që po vuan”, ka shkruar Sveçla. 
 

Fushtica: Ende s’dihen shkaqet e shembjes, sa shihet ka pasur rrjedhje uji, pronari i ndërtesës është ftuar në polici

1 muaj më parë / 29 mar 2026 21:00
Lulzim Fushtica

Drejtori për siguri dhe emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në një prononcim për media ka treguar se ende nuk dihen shkaqet e shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë.

Ai ka thënë se pronari i një ndërtese është ftuar nga policia për intervistim. Fushtica ka treguar se inspektorati do të dalë në vendin e ngjarjes e do t’i fillojë masat që duhet të ndërmerren. 

“Për momentin po merren masa fillestare të sigurimit të vendit. Pronari i ndërtesës është thirrur në polici e po intervistohet lidhur me rastin. Realisht sipas gjitha gjasave do të iniciohet rast për ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’. Nesër inspektorati do të dalë në vendngjarje e do t’i fillojë masat që duhet të ndërmerren”, tha Fushtica. 

Ai ka thënë se sipas gjitha gjasave ka pasur rrjedhje uji, por nuk është parë pasi ka qenë nën rrugë. 
I pyetur nëse ka rrezik për objektet e banimit, Fushtica ka thënë se këtë vlerësim do ta bëjnë inspektorët e ndërtimit. Ai ka thënë se nëse shihet se duhet evakuim atëherë do të bëhet ajo. 

E ndaj deklaratave të Fushticës ka reaguar KRU Prishtina, që tha se bazuar nga vlerësimet fillestare dyshohet se gërmimet shkaktuan shembjen. 

KRU “Prishtina” për shembjen e rrugës në Prishtinë: Nga vëzhgimet fillestare vlerësohet se gjendja u krijua nga gërmimet

1 muaj më parë / 29 mar 2026 20:17
Shembja

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka thënë se bazuar nga vëzhgimet fillestare në terren dhe po ashtu pamjet e publikuara, vlerësohet se shembja e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë të dielën u bë shkaku i gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren e jo nga rrjeti i ujësjellësit. Kompania ka thënë se si pasojë e rrëshqitjeve është dëmtuar infrastruktura e ujësjellësit në atë zonë. 

“KRU "Prishtina" është duke e përcjellë me vëmendje të shtuar situatën e krijuar pas shembjes së dheut dhe dëmtimit të raportuar në afërsi të infrastrukturës së ujësjellësit. Bazuar në vëzhgimet fillestare në terren dhe pamjet e publikuara, vlerësohet se kjo gjendje nuk lidhet me rrjetin e ujësjellësit, por më tepër me aktivitetet e gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren, të cilat kanë ndikuar në destabilizimin e shtresave të dheut dhe krijimin e kushteve për rrëshqitje. Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje, është dëmtuar edhe infrastruktura e ujësjellësit në atë zonë”, thuhet në sqarimin e KRU Prishtinës. 

Kompania ka thënë se do të bëhet me anë të inxhinierëve të specializuar një analizë e detajuar në terren. 

“Kjo analizë do të përfshijë vlerësimin e gjendjes së tokës, ndikimin e punimeve të kryera, si dhe verifikimin e çdo ndikimi të mundshëm në rrjetin e ujësjellësit. Deri në përfundimin e këtyre analizave dhe raportit përfundimtar profesional, rekomandojmë që të mos jepen përfundime të parakohshme dhe të mos i atribuohet përgjegjësia rrjetit të ujësjellësit pa u bazuar në fakte dhe vlerësime të mirëfillta teknike”, ka thënë KRU “Prishtina”.

KRU Prishtina u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve dhe palëve që kryejnë punime në terren që të respektojnë standardet teknike dhe procedurat e sigurisë, në mënyrë që të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen dhe të ruhet integriteti i infrastrukturës publike.


 

KOSTT njofton se disa zona në Prishtinë kanë mbetur pa rrymë si pasojë e shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti”

1 muaj më parë / 29 mar 2026 18:33
Rryma-Keds-Keku

Foto: KTV

Operatori i Sistemit të Tranmisionit dhe Tregut (KOSTT), ka njoftuar se si pasojë e shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë dhe dëmtimeve të shkaktuara, një pjesë e konsumatorëve kanë mbetur pa energji elektrike. 

KOSTT ka bërë të ditur se në koordinim me KEDS-in janë në terren dhe po tentojnë ta sanojnë dëmin. 

“KOSTT njofton qytetarët se, si pasojë e shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”  në Prishtinë dhe dëmtimeve të shkaktuara në infrastrukturë, është prekur edhe rrjeti transmetues në nivelin 110 kV. Si rezultat i kësaj situate, një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga NS Prishtina 6 kanë mbetur pa energji elektrike. Ekipet e KOSTT-it, në koordinim me KEDS, janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike. KOSTT kërkon mirëkuptim nga qytetarët e afektuar”, ka njoftuar KOSTT.