Arbëri

BE-ja e zhgënjyer me mosvotimin e Projektkodit Civil

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka cilësuar zhgënjyese mosvotimin e Projektkodit Civil, i cili nuk ka kaluar në lexim të parë sot në Kuvendin e Kosovës.

Szunyogu ka thënë se ky ligj është i rëndësishëm dhe nuk duhet të presë.

“Pas hapave premtuese të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës me miratimin në lexim të parë të projektligjeve për financimin e partive politike dhe deklarimin e pasurisë, mosbërja e njëjtë me Kodin Civil është zhgënjyese. Legjislacioni i rëndësishëm nuk duhet të presë”, ka shkruar Szunyogu në Twitter.

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia kanë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën e së mërkurës.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, prej të cilëve 16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe katër abstenime.

Ndër të tjera, në Projektkodin civil parashihet edhe regjistrimi civil i bashkësive familjare. Me të lejohet bashkëjetesa mes personave të gjinisë së njëjtë, por nuk parashihet martesa.

“Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me seks të njëjtë. Kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në seancën e së mërkurës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parashikon se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Por një gjë të tillë nuk e lejon Kodi Civil aktual, pasi aty specifikohet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.