Arbëri

Shefi i Pfizerit mbërrin në Tiranë, i impresionuar nga Edi Rama

Shefi ekzekutiv i Pfizerit, Albert Bourla, ka mbërritur në Tiranë dhe sot së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë vizituar ambientet e Qendrës së Vaksinimit “Air Albania”.

Nga atje, Bourla tregoi detaje të vizitës së parë me Ramën në New York, duke thënë se e ka impresionuar për shkak se në një kohë kur askush nuk udhëtonte, Rama preferoi të shkojë personalisht në zyrat e Pfizerit. Duke e quajtur Ramën një lider jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit, Borula shtoi se kryeministri i ka dhënë dhuratë një pikturë të tij.

“Dua të falënderoj kryeministrin që më ftoi në Shqipëri. Ai është një lider jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan. Ai erdhi në New York për të folur për vaksinën, isha i befasuar sepse asnjë nuk na vizitonte në atë kohë sepse ishte periudhë e vështirë. Unë i thashë në telefon se puna e vaksinave është e kryer, por ai tha dua të vij vetë personalisht. Është e qartë që ai jo vetëm shqetësohet për vendin por ka një plan për vaksinimin. Isha i lumtur të ndihmojë Shqipërinë, jam i impresionuar me Ramën, që nga hera e parë ne jemi takuar përsëri dhe unë dua të them se s’do e harroj dhuratën që më dha, një pikturë të bërë nga vetë ai kur erdhi më vizitoi për herë të parë”, deklaroi. Bourla.

Rama e ka falënderuar publikisht shefin ekzekutiv të kompanisë Pfizer, duke e cilësuar një mik të Shqipërisë .

“Është bërë një mik i Shqipërisë kur na hapi derën për Pfizer. Në një kohë që s’kishim asnjë prespektivë të qartë. Folëm gjatë në New York, na dha fjalën se do bënte gjithçka për ta zgjidhur. Falë angazhimit të tij ne morëm vaksina përpara të tjerëve. Dua t’ia shpreh dhe atij vetë në shqip atë që dua të përsëris, mirënjohje pafund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë”, u shpreh Rama.

Pfizer ia mundësoi 500 mijë vaksina Shqipërisë në fillim të këtij viti, duke i paraprirë vaksinimit masiv atje.