Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA: S’ka kushte për zgjedhje në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi në Twitter të mërkurën ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të planifikuara për 18 dhjetor.

Hovenier ka shtuar se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar ai në Twitter.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë ka dënuar incidentet e së martës në veri, duke thënë se përdorimi i dhunës dhe i frikësimi nuk është kurrë metodë e përshtatshme proteste.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shtuar Hovenier.

Edhe Ambasadori Hovenier cek nevojën për shtensionim të situatës në veri dhe zgjedhje të reja Arbëri Ambasadori Hovenier cek nevojën për shtensionim të situatës në veri dhe zgjedhje të reja

Të martën, në veri të Kosovës pati shpërthime të njëpasnjëshme me granata dore dhe shok-bomba. Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Reagime për sulmet pati kryeministrin Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.