Arbëri

SHBA po e heton si mashtrues ambasadorin e nderit të Kosovës, që i dha mirënjohje edhe Lutfi Hazirit

Doktor Otto F. Von Feigenblatt, siç ka dëshirë ta thërrasë veten, është një mashtrim dhe veprimtaria e tij po hetohet në SHBA.

KohaVisioni ka mësuar nga burime të afërta me këto zhvillime se Zyra e Këshillit për Siguri Nacionale ka njoftuar Ambasadën e Kosovës në Washington se personi në fjalë është mashtrues.

Aty, Këshilli ka njoftuar autoritetet kosovare se ‘Shtëpia e Bardhë nuk i miraton këto çmime që ky person është duke i shpërndarë në mbarë botën dhe po e heton këtë çështje’.

Televizioni gjithashtu merr vesh se Ambasada kosovare në Washington e ka alarmuar Zyrën e Presidentit, e cila ia ka dhënë titullin ambasador nderi Otto Von Feigenblattit në mars të këtij viti.

Zyra e Presidentit Hashim Thaçi, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KTV-së nëse do t’ia tërheqë titullin e ambasador nderi ose për masat që mund t’i marrë ndaj tij.

Se personi që insiston se jep çmime në emër të Presidentëve të SHBA-së, është mashtrues dhe aspak i lidhur me shtetin, kanë konfirmuar për televizionin edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.


“Ambasada amerikane konfirmon se personi në fjalë nuk është i lidhur dhe s’ka të bëjë asgjë me Qeverinë e SHBA-së”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Media e Ambasadës së SHBA-së.

Otto F. Von Feigenblatt ka ndarë mirënjohje të tilla vazhdimisht në Kosovë, që thoshte se janë nga presidenti Donald Trump, e të fundit ia ka dhënë Lutfi Hazirit të Gjilanit dhe redaktores së televizionit publik, Ramize Murtezi – Shala.

Por, kryetari i Gjilanit të enjten ka sulmuar Grupin KOHA, duke e quajtur lajmin e rremë.

KTV-ja ka raportuar gjatë kësaj jave se këto çmime janë mashtrim për kosovarët, sepse jepen ekskluzivisht për të nderuar punën vullnetare të shtetasve amerikanë dhe për to paguhet një çmim deri në 10 dollarë.