Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Donald Trump

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor përtej 26 qershorit të vitit 2026.

Kjo emergjencë ishte shpallur për herë të parë me urdhër ekzekutiv më 2001, por sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit shkaku i gjendjes në Ballkanin Perëndimor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në njoftimin thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe gjendja e tanishme në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

“Për këtë arsye... emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor, duhet të vazhdojë përtej qershorit 2026”, thuhet në njoftim.

Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në këtë rajon.

Më pas, më 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.

Ky vendim mund të jetë sinjal se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si shqetësim për sigurinë dhe stabilitetin, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në një raport në maj, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e paraqiti Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Raporti i DASH-it identifikoi Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Gjendja e sigurisë në Kosovë ka qenë e qetë në vitet e fundit, por vendi është përballur me një krizë institucionale duke mbajtur zgjedhjeve të njëpasnjëshme në gati dy vjetët e fundit për shkak të mungesës së konsensuseve politike brenda partive partiake.

NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do ta bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.