Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja sërish bën thirrje që të fillohet me themelimin e Asociacionin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish kanë bërë thirrje që të fillojnë negociatat për implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Departamenti i Shtetit kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Në një konferencë për media, Ndihmëssekretarja e Departamentit të Shtetit, Karen Donfried, ka thënë se SHBA-ja po shpenzon shumë kohë dhe vëmendje për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ndërkohë që zhvillimet e fundit në veri tha se janë shkak real për t’u shqetësuar.

“Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë marrëveshjet që tashmë kanë nënshkruar përgjatë procesit të dialogut, përfshirë fillimin e negociatave për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se është vërtetuar që dialogu është mekanizëm i rëndësishëm dhe fleksibil për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ne u bëjmë thirrje palëve që të përfitojnë plotësisht nga ai”, ka theksuar ajo.

Donfried ka deklaruar se SHBA-ja është duke e monitoruar nga afër situatën, teksa përsëriti kërkesën e Administratës Biden për shtyrje të plotë të afatit për targat.

“Administrata Biden ka kërkuar shtyrje të plotë të afatit për implementim për targat, jo zbatim në faza apo shtyrje të pjesshme. Ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër situatën”.

Edhe O’Brien: Themelimi i Asociacionit, hap i rëndësishëm Arbëri O’Brien: Themelimi i Asociacionit, hap i rëndësishëm

Ndërkohë, të njëjtën gjë ka përsëritur edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili shprehu shqetësimin me situatën në veri.

“Zhvillimet e fundit janë shqetësim. Vënë në rrezik progresin e rëndësishëm që është arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Largimi i serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve aktuale. Ka potencial për ta përshkallëzuar mëtutje situatën në terren. Gjitha palët duhet të marrin hapa të nevojshëm për të reduktuar tensionet e për të siguruar paqe dhe stabilitet”, ka thënë Price. “Veprimet e retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vetëm se vënë në rrezik jetët e qytetarëve të pafajshëm dhe të trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Kosova e Serbia duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Këtu përfshihet edhe fillimi i negociatave për ta themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, ka thënë Price.