Arbëri

Shasha: Tani e gjithë energjia të fokusohet te marrëveshja finale

Drejtori ekzekutiv në Institutin “Epik”, Demush Shasha, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës e Serbisë të mërkurën mbrëma në Bruksel, e gjithë energjia duhet të fokusohet te marrëveshja finale ndërmjet dy vendeve.

Shasha ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të mërkurën se targat kanë luajtur një rol të rëndësishëm, pasi siç ka thënë, ato asnjëherë s’kanë qenë qëllim në vetvete nga ana e Qeverisë.

“Targat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sensin që vendimi i Qeverisë për targat asnjëherë nuk ka qenë qëllim në vetvete por ka qenë mjet për realizimin e një qëllimi”, ka thënë Shasha.

Ai ka shtuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe në Kosovë ka qenë një klithmë për tërheqje të vëmendjes.

“Vendimi për targa ka qenë dhe është një klithmë e Kosovës për vëmendje për procesin e dialogut, që të fokusohemi në pikturën e madhe të dialogut dhe në arritjen e marrëveshjes finale”, është shprehur Shasha

Sipas tij, asnjëra palë nuk është e interesuar që të përshkallëzohen marrëdhëniet.

“Asnjë palë nuk ka interes që të përshkallëzohen marrëdhëniet. Ajo çfarë pamë me këtë episod të targave është se në të vërtetë nuk ishte përplasje për targa por e dy përplasjeve të ndryshme sa i përket qëllimit të dialogut. Në një anë e kemi Kosovën e cila është e interesuar që dialogu në afatin më të shkurtër të mundshëm të arrijë marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Ana tjetër, është ajo e Serbisë e cili thotë jo nuk duhet të merremi me marrëveshjen finale por me targat dhe duhet të fokusohemi në zbatimin e obligimeve të dakorduara, siç është Asociacioni”, ka thënë ai.

Duke folur për dialogun, Shasha deklaroi e ka të vështirë ta mendojë se çka do të fitojë Serbia në këtë proces.

“Më vështirë e kam të imagjinoj se çka do të fitojë Serbia. Ajo nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe në BE. Serbia është në një kënd ku nuk ka hapësirë manovruese. Të zgjedhë një shteg në integrim në strukturat euroatlantike. Po bëhen rrethana të nevojshme që dy palët të lëvizin drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, tha ai.

Për Kosovën, sipas Shashës, thelbësore për marrjen e statusit kandidat për Bashkimin Evropian do të jetë angazhimi në kuadër të dialogut.

Shasha ka thënë se nuk ka rrugë për evitimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni nuk po hiqet nga rendi i ditës. Siç duket nuk ka rrugë për të evituar. Kemi një ngritje të dialogut me propozimin franko-gjerman. Deri sot dialogu është marrë me problemet e veçanta, detajet teknike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e me planin franko-gjerman po kalojmë në nivel tjetër të negociatave”.

Sipas tij, dy gjëra duhet të merren parasysh sa i përket asociacionit.

“E para, çfarëdo asociacioni që ngritim duhet të kalojë testin e kushtetutshmërisë. E dyta, çfarëdo dakordimi që negociojnë pastaj duhet të kalojë testin evropian, duhet të insistojnë që çfarëdo asociacioni që ngritet të mos jetë eksperiment”.