Demush Shasha nga Instituti EPIK ka deklaruar se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për marrjen e statusit të vendit kandidat drejt Bashkimit Evropian.
Ai deklaroi të enjten në DESKU-n e KTV-së se Kosova është e përgatitur për marrjen e këtij statusi, e siç u shpreh ai, aktualisht gjendet në një stad më të lartë, se të vendeve të tjera të rajonit.
“Kosova ka qenë e fundit që të shprehë angazhim për në BE. Kosova i përmbush të gjithaq kriteret për marrje të statusit të vendit kandidat, e përgatitur. Është në një stad më të avancuar se kur kanë qenë këto vende të rajonit, në proces të marrjes. Por tani janë dy pengesa. Pengesa ligjore dhe politike”, ka deklaruar Shasha.
Sipas tij, pengesa ligjore ka të bëjë me traktatin e BE-së, ku thuhet se vetëm shtetet mund ta dorëzojnë aplikacionin për anëtarësim.
“Pikëpyetje e parë është a na njohin 5 vende mosnjohëse. Kjo është pengesa e parë e shqyrtimit të aplikacionit. Tani, kompetencat për miratimin e aplikacionit, është e 27 vendeve nacionale të BE-së. Këtu duhet miratim i 27 vendeve, gjë që nuk është dashur në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kur BE-ja ka vullnet, do të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar një zgjidhje ligjore”, ka thënë Shasha.
Sipas Shashës, pengesë politike mund të jetë mungesa në procesin e dialogut me Serbinë.