Arbëri

Shasha: Afera “Konsulli” pasqyron banalitetin e interesave mbi të cilat qëndron Qeveria Hoti

Foto: Driton Paçarada / KD

Demush Shasha nga Instituti EPIK ka thënë se afera “Konsulli” është dëshmi e fundit që pasqyron banalitetin e interesave mbi të cilat qëndron në këmbë Qeveria Hoti.

Ai thotë se me politikane si Vjosa Osmani ende ka shpresë, transmeton KOHA.

Shasha ka shkruar dhjetë mesazhe, që sipas tij, na tregon afera “Konsulli”.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij:

1. “Kosova po ballafaqohet më virusin e shpresës dhe virusin COVID-19” ishin fjalët e deputetit Shala në ditën kur Kosova u bë vend i vetëm në botë që rrezoi Qeverinë në mes të pandemisë. Siç duket, Haxhi Shala nuk ka pasur asnjëherë ndonjë konsideratë për shpresën e qytetarëve, sidoqoftë ai kishte plane të qarta për shpresat e tij personale;

2. Afera “Konsulli” është dëshmi e fundit që pasqyron banalitetin e interesave mbi të cilat qëndron në këmbë Qeveria Hoti;

3. Pas publikimit të aferës “Konsulli” Kryeministri është dashur të shkarkonte personat përgjegjës me qëllim të kthimit të besimit - sa do të brishtë - në Qeverinë. Në vend të kësaj, Kryeministri Hoti abdikoj postin e Kryeministrit. Ai u distancua nga gjitha këto zhvillime, sikur të kishim të bëjmë me ngrohjen globale në Antarktik;

4. Vjosa dhe Meliza kanë një histori të ngjashme. Ato janë përafërsisht të njëjtës moshë. Të dyja kanë zgjedhur karrierën politike në shërbim të interesit publik. Ato kanë vijuar edhe një arsim përafërsisht të njëjtë. Vjosa ka studiuar në Universitetin e Pitsburgut të SHBA-ve, Meliza ka studiuar në Universitetin e Oxfordit të Mbretërisë së Bashkuar. Sidoqoftë kur u ballafaquan me aferën “Konsulli” diçka i shtyri ato që të veprojnë radikalisht ndryshe. Pse? Çfarë ndodhi? Pse Meliza shkeli mbi çdo gjë që ka mësuar gjatë arsimimit të saj në Angli? Pse Vjosa refuzoi të bëjë një gjë të tillë? Meliza e ka ditë se ajo çfarë po bënë është gabim, por prapë e ka bërë. Në jetën publike nuk mjafton arsimimi i mirë. Individi duhet të jetë i lirë të veprojë sipas vlerave dhe bindjeve të saj/tij. Afera “Konsulli” dëshmoi se Vjosa është, Meliza nuk është;

5. Me ngritjen e Qeverisë Hoti dhe propozimin e fytyrave të reja politike në postet e Zëvendës Kryeministrave dhe Ministrave është ngritur shpresa se këto fytyrat e reja do sjellin ndryshimin kualitativ në qeverisje. Këto disa muaj besoj kanë treguar që për mirëqeverisjen është e nevojshme shumë më shumë se të qenurit vetëm fytyrë e re;

6. Afera “Konsulli” është maja e Icebergut. Është gabim i madh të fokusojmë gjithë vëmendjen të ky rast i vetëm. Prej themelimit të shërbimit diplomatik ai është shfrytëzuar për pazaret politike. Aq sa është i nevojshëm vettingu në drejtësi, aq është i nevojshëm vettingu në shërbimin diplomatik;

7. Afera “Konsulli” nuk do përfundoj vetëm si shaka e radhës për Qeverinë Hoti, ajo do raportohet gjerësisht në qeveritë e vendeve mike dhe jo mike. Ky rast do të dëmtojë edhe më tutje reputacionin e shërbimit tonë të jashtëm në përgjithësi dhe kredibilitetin e Qeverisë Hoti në veçanti;

8. Në gjithë këtë mes, ka shpresë :);

9. Punë e jashtëzakonshme nga gazetari Fitim Gashi. Afera “Konsulli” ka kërkuar një hulumtim goxha kompleks. Është dashur të analizohen vendimet respektive të institucioneve, të hulumtohet legjislacioni, të kuptohen procedurat institucionale dhe të kuptohen faktet rreth rastit konkret. Kjo ka qenë një punë e madhe. Dhe natyrisht është dashur guxim dhe pavarësi. Jemi me fat që kemi gazetarët sikur Fitimin dhe mediumin sikur KOHA të cilët ofrojnë gjitha këto, dhe më shumë;

10. Jemi me fat që kemi edhe gjeneratën e re të politikanëve sikur Vjosa. Vendimet e sotme të saja dëshmojnë se sa lehtë është të bësh mirë dhe të punosh mbarë. Vendimet e saja janë dëshmi që ka shpresë.