Arbëri

Shala: Në Prishtinë ka nisur mësimi në të gjitha shkollat, po respektohen masat

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se në Prishtinë ka filluar mësimi në të gjitha shkollat.

Ajo ka përmendur se vetëm në shkollën në Prugoc nuk ka filluar mësimi për shkak të disa punimeve në shkollë, por se nxënësit e kësaj shkolle po i ndjekin mësimet në shkollën në Besi këtë javë, e nga java e ardhshme pritet të kthehen në shkollë të tyre.

“Nga ora 6:30 jemi në kontakt të vazhdueshëm me drejtorët e shkollave të Prishtinës. Nuk kemi pasur asnjë ekses apo mosrespektim të rregullave të caktuara nga shkolla. Kemi filluar mbarë, fëmijët kanë ardhur të përgatitur me informacionet e duhura, madje më tepër se që e kemi pritur. Janë të njohur me rregullat dhe po i respektojnë masat, e caktuara sipas protokolleve. Në gjitha shkollat e komunës së Prishtinës, me përjashtim më Prugoc, ka filluar mësimi. Në Prugoc ka mbetur një detaj pa u rregulluar. Pritet të hapet shkolla më 21 shtator, por nxënësit e kësaj shkolle janë duke ndjekur mësimin në Besi. Kanë pasur mundësi të kalojnë online, por prindërit kanë kërkuar të fillohet në klasa”, ka thënë Shala për emisionin “Sot” në KTV. “Shkollat kanë bërë orarin të mos ketë kontakt të klasëve me klasë. Për ndryshime të rregullave, në rast se ato nuk funksionojnë, varet nga Task Forca e shkollës, që do ta monitorojë vazhdimisht situatën”.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka uruar gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Zemaj thotë se natyrshëm ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemi, e për çka thotë se duhet angazhim më i madh si dhe respektim të masave mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Dita e parë e shkollës është moment që reflekton rolin madhor që ka edukimi në shoqëri ndërsa rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve. Urime për të gjithë nxënësit! Paçin një fillim të mbarë, shëndet, suksese, më shumë dije dhe rezultate pozitive! Mëngjesin e sotëm gjatë vizitës që i bëra shkollës “Iliria” në Prishtinë pashë se në këto kushte pandemie, gjithnjë sipas udhëzimeve, janë bërë të gjitha përgatitjet, dezinfektimi i hapësirave shkollore, shenjëzimet paralajmëruese, në klasa është bërë reduktimi i numrit të nxënësve për të ruajtur distancën fizike, nxënësit bartnin maska si dhe në hapësira të caktuara ishin vendosur dezinfektues”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka shtuar edhe se MSH bashkë me gjitha akterët e tjerë janë të përkushtuar që ta menaxhojnë situatën e krijuar nga COVID-19.

“Edhe njëherë dua të konfirmoj nga këtu që Ministria e Shëndetësisë, bashkë edhe me të gjithë akterët e tjerë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë proces, jemi maksimalisht të përkushtuar që ta menaxhojmë sa më mirë situatën. Natyrshëm që ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masava parandaluese të virusit. Suksese të gjithëve! Vendosni maskën! Kujdesuni për higjienën! Ruajeni distancën!”, përfundon shkrimi i Zemajt.