Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, ka thënë se bazuar në standardet ndërkombëtare, dispozitat kushtetuese dhe qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin për ligjin e kaluar, Ligji i ri i Pagave nuk do ta kalojë filtrin e Kushtetueses.
Në një bisedë për Interaktivin e KTV-së të martën, Shala ka thënë se ky ligj përmban defekte serioze kushtetuese.
“E kemi dërguar kërkesën te institucioni i Avokatit të Popullit që i njëjti ta procedojë për vlerësim ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Nëse i shohim standardet ndërkombëtare, dispozitat kushtetuese dhe qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin për ligjin e kaluar, definitivisht ky ligj nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj përmban defekte serioze kushtetuese”, ka thënë ai.
Sipas Shalës, mungesa e informimit lidhur me pagat e nëpunësve të sektorit publik paraqet cenim të sigurisë juridike.
“Askush nga nëpunësit e sektorit publik nuk e di se sa e ka pagën me ligjin e ri dhe kjo paraqet cenim të sigurisë juridike që përkundër faktit që e kemi një ligj të miratuar, askush nuk e di vlerën e koeficientit. Kjo paraqet edhe cenim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përkundër faktit se ka pasur deklarime të caktuara se sa mund të jetë vlera e koeficientit që asociohet në vlerë prej 120 euro, kjo prapë se prapë paraqet pasiguri për të gjithë nëpunësit publikë”, është shprehur ai.
Edhe
Avokati Shefqeti: Ligji i Pagave nuk do t'i kalojë filtrat e Kushtetueses
Shala ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka mundësi të vlerësojë se nenet e caktuara të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe mund t’i shfuqizojë ato nene e ligjin ta lë në fuqi.
“Nëse shkon ky rast në Gjykatën Kushtetuese presim që ajo të veprojë brenda një afati të arsyeshëm kohor. Nëse Gjykata vlerëson se ky ligj nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk do të dëmtohet asnjë qytetar. Ka një mungesë të theksuar të informimit dhe ka një qasje disi duke u mbuluar të vërteta të caktuara nga ana e qeverisë në mënyrë që të ndërtohet një lloj mesazhi që ky është ligj i prosperitetit, ngritjes së pagave etj, që realisht nuk është ashtu”, ka shtuar ai.