Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, deklaroi se kryeministri Albin Kurti nuk mund ta ndryshojë historinë e Kosovës, derisa shtoi se ai duhet të reflektojë në raport me opozitën dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shala shtoi të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se “logjika e Kurtit po e dërgon Kosovën në një rrugë pa dalje”.
“Kurti nuk mund ta ndryshojë historinë. Duhet të reflektojë sa më parë në të mirë të Kosovës, të ekonomisë, të zhvillimit dhe të partneritetit të brendshëm dhe në raport me SHBA-në...E pakuptueshme ku na çon kjo logjikë komplet pa rrugëdalje”, deklaroi Shala.
Sipas deputetit të partisë opozitare, mostakimi i Kurtit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është i pakuptimtë dhe i gabueshëm.
“Në këtë relacion nuk i shkon për shtati as politikës e as shtetit tonë, as në arenën ndërkombëtare. Edhe në kuptimin intelektual e praktik, kryeministri do të ishte i mirëpritur, për kërkesën e Ramës për ta takuar. Realisht, si asnjëherë tjetër në historinë e kombit tonë, s’ka moment më jologjik dhe më jokombëtar, s’ka arsyeshmëri që t’i kërkojmë llogari Shqipërisë për arenën ndërkombëtare. Si ka mundësi që të jemi kaq tekanjozë me shtetin amë dhe me politikën e tij”, deklaroi Shala.
Edhe
Rama për Kurtin: Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme
Ai theksoi se sjellja e Kurtit ndaj Shqipërisë është për ego dhe për protagonizëm, ndërsa përmendi se dikur kryeministri Kurti kishte premtuar afrim dhe bashkim kombëtar.
“Nuk fitojmë gjë nëse e sanksionojmë Shqipërinë, apo nëse Shqipëria sanksionohet nga dikush. E them që ne duhet të jemi koshientë në rrugëtimin tonë, për fuqinë ushtarake, diplomatike, si ka mundësi pas kaq vitesh të ngatërrohemi te Shqipëria. Gabimet tona s’mund t’ia lëmë as Shqipërisë e as askujt. Nuk është marre të kërkojë falje, nëse ka gabuar vërtetë, gabimet strategjike që i ka bërë Kurti në Bruksel, s’mund t’i mbulojë brenda me Shqipërinë ose në Kosovë”, tha ai.