Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala: Dymijë raste të dhunës ndaj grave e 500 ndaj burrave

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala ka deklaruar se janë dymijë raste të dhunës ndaj grave dhe 500 raste të tjera të raportuara të dhunës ndaj burrave. Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar se në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje janë paraparë 140 aktivitete.

Ajo ka shtuar se 15 aktivitete synojnë fuqizimin e gruas për tu shkëputur nga cikli i dhunës.

Ajo në raportimin para komisionit parlamentar ka folur për numrin e rasteve të raportuara të dhunës në familje.

“Nga raportimi që kam, janë dymijë rasteve ku viktima janë gratë, 500 raste ku viktimat janë burra. Nëse e shikojmë mund të konkludojmë se 1/5 e viktimave të dhunës në familje janë burra”, ka deklaruar ajo.

Derisa është diskutuar për dhunën në familje, koordinatorja nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në familje tha se Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ka qenë pjesë e programit qeverisës dhe tashmë janë përcaktuar 140 aktivitetet.

"Si rezultat i konsultimeve në fjalë, aktualisht kemi një strategji e cila 140 aktivitete. Të cilat janë të ndara në katër objektiva strategjike, të njëjtat parashihen të zbatohen në një periudhë kohore tre-vjeçare. Përkundër që strategjia daton nga viti 2022-2026, plani i veprimit është trevjeçar. Në të janë identifikuar 140 aktivitetet në fjalë. Strategjia është miratuar në qeveri në fund të muajit janar të këtij viti. Menjëherë pas miratimit të strategjisë në qeveri në zyrën time kam ndërmarrë hapa për sa i takon identifikimit në një tabelë të veçantë të të gjitha institucioneve përgjegjëse që janë bartëse të aktiviteteve të parashikuara në strategji. Nga 140 aktivitetet e parashikuara për periudhën trevjeçare, 34 prej tyre veçse kanë filluar të zbatohen”, ka theksuar Shala.