Anëtari i Sindikatës së ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt, Ali Shabani, ka folur për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për “IMK Çeliku”.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në janar të vitit 2022 janë bërë 20 vjet që kur është anuluar vendimi i organit të dhunshëm që i kishte dëbuar punëtorët nga fabrika.
Shabani ka thënë se edhe tash janë duke pritur që të ekzekutohet po i njëjti ligj.
Ai ka thënë se do të futen në grevë dhe nuk do të dalin nga aty pa asnjë rezultat.
“Të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje kanë premtuar se do ta ekzekutojnë këtë vendim, kanë marrë vota nga këta punëtorë, mbi 900 prej tyre dhe nuk kanë bërë asgjë. Rasti i fabrikës së gypave është ‘sui generis’ si rasti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Asnjë fabrikë nuk e ka rastin e njëjtë të kësaj fabrike. Aktgjykimi i Gjykatës komunale ua njeh dy të drejta siç janë e drejta për pagë dhe përvoja e punës”, ka thënë ai.
Edhe
SBASHK-u s’i përjashton protestat e grevat në shtator, e kritikon Qeverinë për mungesë dialogu
Sipas tij, ky vendim vetëm duhet të ekzekutohet.
Ai ka thënë se katër seanca janë mbajtur lidhur me këtë çështje, derisa shton se njëra nga to është thirrur nga vet Lëvizja Vetëvendosje.
Shabani ka thënë se kanë pasur kontakt me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe shefen e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Ne kërkojmë takim me kryeministrin, Albin Kurti dhe kjo është koha e fundit. Prej 912 punëtorëve, rreth 600 kanë vdekur. Gjykata Kushtetuese ka pasur tri mundësi të vendosë, ta pranojë tërësisht kërkesën, ta pranojë pjesërisht dhe ta refuzojë, por ajo e ka pranuar dhe e ka obliguar Qeverinë dhe AKP ta ekzekutojë këtë vendim”, ka thënë ai.
Edhe
Koalicioni rreth AAK-së u kërkon qytetarëve në Ferizaj ta ndjekin shembullin e Haki Abazit
Shabani ka thënë se me largimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës janë krijuar mundësitë reale që Kosova të anëtarësohet.
Ai ka thënë se ka takuar avokatë që kanë fituar lëndë në Gjykatën e Strazburgut dhe kur ua ka treguar dokumentet, ata i kanë thënë se secili avokat që merr këtë lëndë, e ka të fituar me garancë rastin.
Ai thotë se me ish-kryeministrin Haradinaj kishin rënë darkord që të heqin dorë nga 3 për qindëshi porse përsëri asgjë nuk u bë në këtë trajtim.