Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se do të jetë e vështirë që së shpejti, Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje finale.
Pasi të dyja vendet u zotuan se do t’i përmbushin marrëveshjet e arritura në Bruksel, në mënyrë që Kosova të pezullojë vendimin për vendosjen e gjobave dhe Serbia të ndalojë prodhimin e targave me emërtimet e Kosovës, Brukseli paralajmëroi të iniciojë diskutimet për marrëveshjen finale, mbi bazën e planit franko-gjerman.
E, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në Bruksel është përmendur si afat i fundit kohor për marrëveshjen, marsi i vitit të ardhshëm.
Por, marrë parasysh dinamikën e ngjarjeve, Serwer nuk pret që marrëveshja të arrihet atëkohë.
“Unë sigurisht shpresoj të fillojnë diskutimeve, megjithëse dyshoj se Serbia është e gatshme të shkojë larg në drejtim të normalizimit. Kompromisi i madh është që Serbia të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, edhe nëse nuk e njeh atë zyrtarisht. Gjithçka tjetër është relativisht e vogël – Asociacioni i komunave me shumicë serbe, marrëveshjet financiare, personat e zhdukur, përfaqësuesit në Beograd dhe Prishtinë, targat”, ka thënë Serwer për KOHËN.
Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, SHBA-të luajtën një rol vendimtar për të shmangur tensionet dhe kryeministri Kurti iu përgjigj kërkesës së tyre për shtyrjen e shqiptimit për gjoba për ngasësit e vetura ilegale. Por, ish-diplomati amerikan, Serwer vlerëson se SHBA-së i mungon fuqia për ta bindur Serbinë, prandaj presioni i bëhet Kosovës.
“Roli i SHBA-së është që ta ‘dorëzojë’ Kosovën. Problemi është se askush nuk mund ta ‘dorëzojë’ Serbinë sa i përket i marrëveshjes. SHBA-së i mungon fuqia, Beogradi nuk do ta dëgjojë Brukselin dhe Moska nuk dëshiron një marrëveshje. Do të isha shumë i lumtur të provohet se jam gabim, por nuk parashikoj një marrëveshje serioze normalizimi në harkun kohor që e dëshiron kryeministri Kurti”, ka potencuar Serwer.
Pas pajtimit rreth targave në Bruksel, Kurti e ka përsëritur disa herë se synimi është që marrëveshja finale të arrihet deri në marsin e vitit të ardhshëm.
Por në komunikatën e tij pas arritjes së pajtimit për targat, Përfaqësuesi i BE-së, Joseph Borrell, kishte thënë se krahas diskutimeve për marrëveshjen finale palët janë vënë në dijeni për zbatimin e të gjitha ujdive të arritura në dialogun e deritashëm në Bruksel.
E, presidenti serb Aleksandër Vuçiq e ka përsëritur kërkesën adresuar Qeverisë së Kosovës, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë. E ka bërë këtë në takim me emisarin e BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili të hënën qëndroi në Beograd. Përveç kërkesës për asociacionin, presidenti serb i është ankuar Lajçakut edhe për emërimin e Nenad Rashiqit ministër për komunitete dhe kthim në Qeverinë Kurti.
“Me Miroslav Lajçakun kam diskutuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohen serbët për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës. Theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe arritjes së kushteve më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Vuçiq.
Ndërkaq, e ka quajtur reagim emocional deklaratën se nuk merr pjesë në samitin e Tiranës. Vuçiq tha një ditë më herët se nuk merr pjesë në Samit, për shkak se Kurti emëroi në qeveri një zyrtar jashtë Listës Serbe. Lidhur me emërimin e Rashiqit ka reaguar edhe Bashkimi Evropian duke e quajtur kundër kushtetues vendimin e Kurtit.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e Kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Stano të premten e kaluar.
Ai ka shtuar se vendet e BE-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Kosovës e Serbisë që të evitojnë veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës në Kosovë.
Pozita në të cilën është emëruar Rashiqi, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i konvertuar targat ilegale serbe në RKS. Për këtë arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.