Arbëri

Situatë e qetë në veri para “javës së vështirë” të paralajmëruar nga Serbia

E qetë por delikate po vlerësohet situata e sigurisë në katër komunat veriore nga Policia e Kosovës. Gjatë së dielës në Leposaviq ka shkuar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka premtuar ndihmë për qytetarët e kësaj ane pa dallim etnie. Serbët e veriut kanë marrë mesazhe për mosdorëzim nga Serbia. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar javë të vështirë. E ministri i Mbrojtjes i Serbisë u ka bërë thirrje serbëve të veriut për kundërshtim paqësor të kryetarëve shqiptarë në veri.

Situatë e qetë ka mbretëruar të dielën në komunat veriore me shumicë serbe, ku kryetarët e zgjedhur shqiptarë hynë në ndërtesat e komunave dy ditë më parë me ndihmën e policisë.

Në Leposaviq, ashtu si në komunat e tjera veriore, policia ka shtuar prezencën si rreth objektit komunal, ashtu edhe nëpër rrugë.

Të qetë, por delikate e ka vlerësuar gjendjen zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë për Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.
“Situata është e qetë – delikate, por ka qenë e qetë. Policia është angazhuar në bazë të planeve të veta dhe vazhdojmë të jemi vigjilentë për ditët në vijim”, ka thënë Elshani në një përgjigje për KOHËN.

Në Leposaviq janë larguar tërësisht kamionët që ishin vendosur nga protestuesit serbë të premten, derisa të shtunën janë zëvendësuar kamerat e sigurisë. Ato që ishin vendosur nga strukturat paralele janë zëvendësuar me ato që janë nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, policia ka kryer një kontroll edhe në ndërtesat komunale. Burimet e KOHËS kanë thënë se në objektin e Komunës në Leposaviq të shtunën janë gjetur armë, që policia i ka marrë bashkë me pajisjet kompjuterike.

Për këtë, përgjigje zyrtare policia nuk ka dhënë. Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës nuk ka ndonjë kërkesë për konfiskim apo sekuestrim. Mirëpo, siç kanë thënë në këtë institucion, Prokuroria e ka të drejtën t’i mbajë provat për 48 orë me kusht që brenda këtij afati parashtron kërkesë në gjykatë për to.

KOHA gjatë ditës së diel ka tentuar t’i kontaktojë zëdhënësin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, si dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, por nuk kanë qenë të qasshëm përmes telefonit.

Megjithëse ditë pushimi, edhe të dielën në zyrë ka dalë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Ai ka pritur ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, dhe zëvendësministrin e Brendshëm, Blerim Gashani. Hetemi doli në zyrë edhe të shtunën, kur priti ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Në rrjetin social Facebook, ministri Peci ka shkruar se e ka njoftuar kryetarin për mundësinë e mbështetjes së qytetarëve të Leposaviqit me projektet e Ministrisë.

“Si ministër i Bujqësisë i tregova kryetarit Hetemi për planet e projektet shumëmilionëshe për bujqësinë, të ministrisë që unë udhëheq për qytetarët e komunës që ai udhëheq, pa asnjë dallim përkatësie etnike e tjetërfare”, ka shkruar Peci në Facebook.

Por nga Serbia sërish ka pasur reagime për situatën në veri. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, të dielën, ka thënë se po vjen një javë e vështirë për Serbinë. Duke përsëritur frazën “s’ka dorëzim”, të përdorur edhe nga protestuesit dhe barrikaduesit në veri vitin e kaluar, ai tha se s’do të bjerë pre e presionit ndërkombëtar.

“Në të njëjtën kohë, java e ardhshme është e vështirë për të gjithë ne. Kemi shumë angazhime ndërkombëtare, bisedime me të gjithë liderët evropianë, me Macronin e Scholzin, e deri te lufta për popullin tonë në Kosovë dhe Metohi. Në fund, dua të falënderoj të gjithë njerëzit për mbështetjen e madhe, për faktin që njerëzit e kuptojnë se sa shumë luftojmë për Serbinë tonë. Dhe për ata që kanë frikë, të cilët pyesin nëse do të dorëzohemi dhe do të lëshojmë pe para presionit, përgjigjja ime është – nuk ka dorëzim, dhe dorëzimi kurrë nuk ka ndodhur”, tha Vuçiq në një videodeklaratë që e ka shpërndarë përmes Instagramit.

Ndërkohë ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, ka thënë se situata është e qetë, porse, sipas tij, “tensionet mund të shpërthejnë në çdo minutë”. Në programin e mëngjesit të “TV Prva”, të dielën, ai ka thënë se pret vendim prej KFOR-it për, siç tha, “mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, derisa bëri thirrje edhe për kundërshtim paqësor të institucioneve të reja komunale.

“Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm”, ka thënë Vuçeviq.

Për situatën në veri është diskutuar edhe në ndërtesën e Qeverisë. Kryeministri Kurti është takuar të dielën me raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon.

“Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyrë një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre më 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës. Ndërsa për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar. Kryeministri shtoi se “është kënaqësi të pres znj. Cramon në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Derisa Cramon nuk ka shpërndarë ndonjë mesazh pas takimit me kryeministrin Kurti, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ka thënë se ndonëse veprim i ligjshëm, hyrja e kryetarëve me mbështetje të policisë nëpër komuna është veprim jolegjitim. Institucionet e Kosovës kanë marrë vërejtje të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare për aksionin e së premtes në veri. Këto reagime dhe thirrjet për “zmbrapsje” vazhduan edhe të dielën.

Kryeministri Albin Kurti pas zhvillimeve në veri tha se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por vlerësoi se çdo opsion tjetër përpos atij që ua mundësoi hyrjen në zyra kryetarëve të rinj të komunave do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Kosovës.

Në zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan nuk morën pjesë partitë serbe. Po ashtu, shumica e serbëve i bojkotuan ato.