Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë se pret që kancelari gjerman, Olaf Scholz, të përsërisë në Beograd thirrjen që Serbia duhet t’u bashkohet shteteve perëndimore në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë, ai ka deklaruar se një lëvizje e tillë do ta dëmtonte më shumë Serbinë se Rusinë dhe për këtë ka thënë se shpreson në mirëkuptimin e Gjermanisë.
“Të gjithë zyrtarët nga shtetet e Bashkimit Evropian në vazhdimësi shprehin pritjet e tyre, siç thonë, që Serbia të jetë plotësisht në linjë me politikën e jashtme të BE-së, në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka thënë Staroviq për RTS.
Staroviq ka theksuar një deklaratë të mëhershme të Scholzit, që duke komentuar sanksionet që Gjermania po i vendoste Rusisë, ishte shprehur që ato “duhet të jenë të rënda, serioze, por s’duhet t’i shkaktojnë më shumë dëme Gjermanisë sesa Rusisë”.
“E kuptojmë këtë argument, por shpresojmë se do të vlejë edhe për rastin tonë. Është dukshëm e qartë që vendosja eventuale e sanksioneve ndaj Rusisë do t’i bënte më shumë dëme Serbisë se Rusisë. Besojmë se të paktën ky argument do të kuptohet nga Scholzi”, ka thënë Staroviq.
Të premten, Scholz do të nisë vizitën në Ballkanin Perëndimor. Kosova e Serbia do të jenë dy vendet e para që do t’i vizitojë. Për vizitën në Kosovë, Sefaroviq ka thënë se “fatkeqësisht Gjermania, është ndër sponsorizueset kryesore të administratës së Prishtinës”.
“Dua të besoj se Scholzi do t’i thotë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se është absolutisht e pamundshme për ne që të pranojmë obligime të reja, pa e përmbushur Prishtina marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Staroviq, duke shtuar se e ka fjalën për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
-
Rusia i reagon Scholzit për deklaratën në Kosovë
-
Scholz: E paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra- tjetrën të bëhen anëtare të BE-së
-
Kurti i kërkon Scholzit që ta mbështesë largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës
-
Scholz i shkruan kryeministrit serb: Ju mbështesim derisa e vazhdoni normalizimin me Kosovën
-
Scholz: Po punojmë shumë për ta zgjidhur situatën e vështirë mes Kosovës dhe Serbisë