Arbëri

Serbia me filma propagandistikë kundër Kosovës mobilizon MUP-in dhe RTS-in

Një seri prej gjashtë episodesh është aksioni i radhës i shtetit serb në propagandë për luftën në Kosovë. Titullohet “Dosja e Kosovës” e “regjisorë” të projektit janë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Radio Televizioni i Serbisë. “Populli serb do ta shkruajë historinë e tij, sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar, sepse lufta jonë ishte e madhe, sepse lufta jonë nuk ka mbaruar”, citohet të ketë thënë ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin. Në Kosovë krejt ky projekt cilësohet një kapitull i ri i propagandës serbe dhe tentim i shndërrimit të agresorit në viktimë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe televizioni publik serb kanë bashkuar forcat për një projekt të madh. Bëhet fjalë për serinë e filmave dokumentarë “Dosja e Kosovës”. Në një takim midis ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, përfaqësuesve të RTS-it e strukturave të sigurisë në Serbi, është biseduar për dokumentarin që planifikohet t’i ketë 6 episode.

Mediat serbe kanë raportuar se seria do të nxjerrë në pah “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatet e civilëve dhe pjesëtarëve të policisë në Kosovë dhe Metohi, në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2001”.

Në Kosovë, krejt ky projekt cilësohet si një kapitull i ri i propagandës serbe dhe tentim i shndërrimit të agresorit në viktimë.

Prijës të këtij projekti janë Aleksandar Vulin me RTS-in. Për autore është përzgjedhur regjisorja Slagjana Zariq. Kjo kinematografe serbe vazhdimisht punon për RTS-in. U takon qarqeve të artistëve që nëpërmjet filmit e vazhdojnë avazin se si populli serb është ndër më të vuajturit në rajon. Midis të tjerash, ajo mban autorësinë e dokumentarëve “Histori lufte në Pashtrik” e “Histori lufte në Koshare”. Që të dyja këto projekte qenë lansuar më 2019. Historinë krijuese e ka nisur në vitin 2005 me një dokumentar për largimin e Slobodan Milosheviqit nga pushteti e po ashtu nga Serbia. Milosheviqi edhe qe gjykuar në Hagë për luftërat në ish-Jugosllavi. Por, “Dosja e Kosovës” mëton të tregojë tjetër gjë.

Vulin: “Populli serb do ta shkruajë historinë e tij”

Sipas ministrit Vulin, Ministria që ai udhëheq e ka për detyrë “ta ruajë të vërtetën për kohën e rebelimit të armatosur shqiptar dhe agresionit të NATO-s kundër vendit tonë (Serbisë v.j.)”.

“Prandaj jemi duke e përpunuar këtë pjesë të rëndësishme, që nga viti 1998, kur policia praktikisht luftoi me terroristët shqiptarë, deri në vitin 2001, kur kemi pjesën e fundit të kryengritjes së armatosur në rajonin e Preshevës dhe Bujanocit”, citohet të ketë thënë Vulini, në takimin e ditëve më parë. Bile, sipas tij, Serbisë me dekada i është ndaluar ta kujtojë dhe ta shkruajë historinë e saj.

“Për dekada të tëra, më të këqijtë prej nesh kanë vendosur që është më mirë të mos thonë të vërtetën, që të mos shajmë me atë të vërtetë ata që vranë fëmijët tanë”, citohet të ketë thënë ai duke shtuar se në vazhdim nuk do të ndodhë diçka e tillë. Sipas tij, nëse Serbia hesht ndaj historisë së saj, ka mundësi që prapë të përballet me ndonjë të keqe.

“Populli serb do ta shkruajë historinë e tij, sepse nuk ka asgjë për t'u turpëruar, sepse lufta jonë ishte e madhe, sepse lufta jonë nuk ka mbaruar”, citohet të ketë thënë Vulini. Është paralajmëruar se dokumentari do të nisë të shfaqet këtë vit dhe të vazhdojë në fillim të vitit që vjen. I bie që një pjesë e madhe e serive të ekranizohen në kohën kur Serbia do t’i ketë zgjedhjet, e partia e presidentit aktual Aleksandër Vuçi po bëhet gati edhe për një fitore.

Autorja e serisë së dokumentarëve, Slagjana Zariq, ka treguar disa detaje. Ka thënë se “filmi i parë mbulon ngjarjet e ndodhura në periudhën mars-prill, kur shpërthyen konfliktet e armatosura ndërmjet UÇK-së terroriste dhe në radhë të parë forcave policore, deri në fund të shtatorit 1998”.

Sipas saj, episodi i dytë që do të shfaqet në fillim të vitit të ardhshëm dhe titullohet “Raçaku”, duke shtuar se shikuesit e RTS-it do të mund të njihen me atë që ndodhi atje për herë të parë, sipas kronologjisë së ngjarjeve nga ora në orë.

Sopi: “Serbia do të vazhdojë të helmojë me urrejtje e propaganda”

Në realitet, mëngjesi i 15 janarit 1999 banorët e fshatit Reçak rreth 30 kilometra larg Prishtinës, i kishte gjetur të rrethuar nga forcat serbe. Në një kodrinë të fshatit ishin masakruar 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, asokohe kishte bërë që ndërkombëtarët ta kenë edhe më të qartë agresionin serb mbi Kosovën. Ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Por, ajo që do të paraqesë dokumentari i RTS-it është krejt tjetër.

“Historia e një operacioni policor që u krye shkëlqyeshëm dhe që në fund u prezantua si një vuajtje e tmerrshme e civilëve. Për herë të parë në këtë projekt do të flasin punonjës të RTS-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ata që ishin në Reçak më 15 janar 1999”, citohet të ketë thënë Zariqi. Ka përmendur edhe dokumentarët që i ka realizuar për ngjarjet në Pashtrik e Koshare. Ka thënë se ata i ka bërë pasi mendon se duhet t’u jepej mirënjohje njerëzve dhe djemve që mbronin atdheun në atë kohë. Ka thënë të jetë tronditur nga hulumtimet që ka bërë, pasi ka “mësuar shumë se sa shumë ka vuajtur populli serb në Kosovë”. Sipas saj, “të gjitha dramatizimet janë bërë në bazë të dëshmive autentike të viktimave dhe familjeve të tyre, si dhe në bazë të dëshmive të shqiptarëve të dhëna në Tribunalin e Hagës gjatë proceseve kundër Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt”.

Dy politikanët kosovarë, që përmendën nga regjisorja, janë gjykuar në Hagë. Madje, Ramush Haradinaj në dy procese. Që të dy kanë dalë të pafajshëm. Nuk është paralajmëruar që dokumentarët do të shpërfaqin ndonjë të dhënë, si mbi 10 mijë civilë shqiptarë të vrarë në luftë, rreth një milion të dëbuar, për varret masive të shqiptarëve në Serbi e as faktin se mbi një mijë trupa të shqiptarëve nuk janë gjetur ende. Por, zor se mund të paraqiten këso të dhënash pasi masakrat ndaj shqiptarëve dhe bartjet e trupave për në Serbi janë bërë nga Ministria që bashkëprodhon dokumentarin.

Propaganda e Serbisë në raport me Kosovën nëpërmjet kinematografisë është çështje që njihet.

Regjisori Agim Sopi ka thënë se Dobrica Qosiqi, i cili njihet si baba i kombit serb e ideolog i politikës serbe, kishte thënë se “gënjeshtra që vazhdimisht përsëritet një ditë tingëllon si e vërtetë”. Sipas tij, bazuar në këtë logjikë, propaganda është mjet i rëndësishëm që “xhelati të shndërrohet në viktimë”.

“Politika serbe si politikë ekspansioniste gjithnjë është elaboruar me popullin serb si viktimë”, ka thënë ai. Sipas Sopit, në Serbi nuk ka ndodhur ende denazifikimi.

“Zjarri i ideologjisë nacional-fashiste që ka shkaktuar mbi 200 mijë viktima dhe rreth 3 milionë njerëz të deportuar, vetëm sa është mbuluar me hi para publikut të verbër evropian që nuk do ta shohë tmerrin në oborrin e vet”, ka thënë Sopi. Ka shtuar se, derisa realiteti i vrazhdë të mos shihet drejt në sy, Serbia do të vazhdojë të helmojë me urrejtje e propagandë.

“Do të helmojë jo veç popullin e vet, por edhe të gjithë ata që janë të prirë t'i besojnë me logjikën e paragjykimeve fetare, ideologjike e etnike”, ka thënë ai.

Lulzim Peci, i cili për një kohë të shkurtër ishte shef i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, ka thënë se seria e dokumentarëve nuk ka asnjë dallim prej narrativave të Milosheviqit ndaj shqiptarëve. Sipas tij, Serbia në vend që të turpërohet për të kaluarën e saj, ajo është krenare me të, dhe e projekton si narrativë zyrtare shtetërore.

“Njëra ndër objektivat kyç të Serbisë dhe Rusisë, është ndërrimi i narrativave për luftërat në ish-Jugosllavi, dhe atë me theks të veçantë për luftën në Kosovë, për shkak të intervenimit të NATO-s. Ky serial është pjesë e realizimit të kësaj strategjie”, ka shkruar ai.

Projektet kinematografike serbe janë të njohura për propagandën kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Dokumentari “Kosova - moment në civilizim”, i autorit Boris Malagurski qe shfaqur në vende të ndryshme në vitin 2017. Aty shqiptarët krahasoheshin me terroristë të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Në vitin 2019, filmi serbo-rus “Kufiri Ballkanik” paraqiste se si ushtarakët rusë ia kishin mësyrë Kosovës më 1999 për t’i “mbrojtur serbët nga terroristët shqiptarë”.