Qetësia e së martës mund të mos përsëritet edhe të mërkurën, pasi serbët kanë paralajmëruar protesta masive dhe kanë vënë kushte, që, sipas tyre, duhet të plotësohen deri të mërkurën. Megjithatë edhe të martën pati incidente, sidomos në Leposaviq
Me më pak protestues e shumë më pak incidente u shënuan protestat e serbëve në tri komunat veriore, të martën.
Pas atyre të së hënës, ku veç në Zveçan u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri, të martën, misioni i KFOR-it shtoi masat e sigurisë rreth objekteve komunale në Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, duke vënë edhe tela me gjemba.
Kërkesë e protestuesve serbë ishte që nga ndërtesat komunale të largohen kryetarët e zgjedhur, të gjithë shqiptarë, si dhe forcat policore.
Por qetësia e së martës mund të mos përsëritet edhe të mërkurën, pasi serbët kanë paralajmëruar protesta masive dhe kanë vënë kushte, që, sipas tyre, duhet të plotësohen deri të mërkurën.
Incidente të shumta në Leposaviq
Edhe Will KFOR Defend Kosovo?Ende nuk ishte ora 07:00, kur serbët lokalë nisën të vendoseshin para e rreth ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.
Afër derës së objektit qëndronin tri autoblinda të Policisë së Kosovës, por policët nuk shiheshin askund.
E brenda ndodhej kryetari Lulzim Hetemi, i cili që nga e hëna që ka dalë në punë, nuk është larguar nga aty.
Pranë telave gjemborë përreth Komunës, që i ka vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, po bënin rojë trupat ushtarake italiane.
Ata morën disa të shara nga protestuesit, ashtu si edhe ekipi i KOHËS, të cilit iu kërkua me ngulm që të kthehej në Prishtinë.
Në KFOR thanë se nuk e kanë në kompetencë t’i mbrojnë gazetarët, përpos në rastin kur u rrezikohet jeta. Megjithatë, dhanë leje për t’i kaluar telat gjemborë.
Para Komunës nisi grumbullimi i qytetarëve nga të gjitha rrugicat, e në mesin e tyre edhe zyrtarë të punësuar në komunën paralele, të cilët kërkuan qasjen në zyrë.
Në orën 08:30 serbët lokalë e rrethuan ndërtesën e Komunës nga të gjitha anët në rezistencën e tyre kundër kryetarit të ri.
Me disa fjalë në italisht, herë përshëndesnin e herë sulmonin verbalisht italianët e KFOR-it.
Rezolutën 1244 e kishte gravuar në helmetë një protestues, që po bënte gjiro nëpër turmë.
Në një moment, protestuesit shpalosën kërkesat para KFOR-it. Kërkonin heqjen e flamurit të Kosovës, largimin e kryetarit nga objekti e edhe largimin e Policisë dhe KFOR-it. Ato i prezantuan ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.
KFOR-i u dha leje për t’u futur brenda në oborr e ta zgjerojnë muhabetin.
Ushtarakët folën me ta, por zgjidhje s’iu gjetën.
Në Kishën ortodokse përballë Komunës, politikanët serbë pastaj folën me disa përfaqësues të protestuesve.
I vazhduan negociatat me KFOR-in, gjatë së cilës kohë pranë rrethojave brenda turmës u shfaqën persona me maska, të cilët filluan t’i shtynin e sulmonin gazetarët.
Njërës prej mediave ia thyen kamerën.
Më pas nisi sulmi me vezë dhe u vendosën shenja në rrugë, të cilat gazetarët u urdhëruan të mos i kalonin.
As kjo nuk u mjaftoi. Disa protestues u angazhuan ekskluzivisht të pengojnë filmimet.
Disa metra poshtë ndërtesës së Komunës e më afër Stacionit të Policisë persona të maskuar nisën një ofensivë tjetër.
Demoluan dy vetura të mediave të Shqipërisë A2 CNN dhe TV News. Gazetarët që ishin aty u shprehën se ushtarët e KFOR-i e kanë parë tërë situatën, por nuk reaguan.
Minuta pas kësaj situate, KFOR-i amerikan shkoi drejt objektit të Komunës për t’i ndërruar kolegët e tyre italianë, por u pritën me sharje nga shumica serbe.
Pasdite, moti nisi të ftohej dhe ra edhe shi. Turma u zvogëlua, por protestës nuk iu dha fund.
Edhe A do ta mbrojë KFOR-i Kosovën?Kryetari i zgjedhur vazhdoi të qëndronte në Komunë e serbët para saj.
Zveçani më i qetë
Krejt tjetër ishte situata në protestën e së martës në Zveçan, një ditë pasi dhjetëra persona u lënduan aty, përfshirë 30 pjesëtarë të KFOR-it.
Dita nisi me më pak protestues se nga protesta e së hënës. Dhjetëra persona qëndruan gjatë gjithë ditës përballë objektit të Komunës.
Ndonëse numri i protestuesve ishte i vogël, KFOR-i mori masa që në mëngjes.
Lëvizi barrikadën për disa metra me afër protestuesve, duke zgjeruar kështu perimetrin e sigurisë.
Me lëvizjen e barrikadës, KFOR-i detyroi gazetarët që të futeshin te turma.
Protesta nisi e qetë, e një nga protestuesit tha që janë në negociata me KFOR-in. Një kërkesë më shumë është listuar, krahas atyre të komunave të tjera të veriut. Përpos që refuzojnë qasjen e kryetarit të ri të Komunës në zyrë, kërkuan largimin e policisë, por edhe lirimin e të arrestuarve një ditë më parë.
Që më mëngjes, në ballë të protestës u vunë përfaqësues të Listës Serbe; Goran Rakiq e Igor Simiq. Ata refuzuan të flasin për media joserbe të Kosovës.
Protestuesit pritën orën 15:00, në mënyrë që Policia e Kosovës të tërhiqej.
E, policia nuk u pa pothuajse fare gjatë paradites. Dikur doli dhe nisi të bënte barrikadë me tela gjemborë, por ndaluan pa dhënë ndonjë sqarim.
Ndonëse në rrugë dukeshin pak njerëz, në kafenetë përreth kishte edhe të tjerë protestues. Kjo bëri që KFOR-i të vendoste gjatë ditës edhe një barrikadë për të bllokuar hyrjen brenda hapësirës së Komunës përmes daljes së asaj kafeneje.
Në mëngjesin e së martës ata kishin caktuar orën 15:00 si afat të fundit për plotësimin e kërkesave, por pasdite afatin e shtynë për të mërkurën.
E, në mbyllje të protestës, me organizatorët u takua edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, por që nuk pranoi të deklarohej për media.
“U kërkoj të gjithëve të jemi të bashkuar dhe paqësorë dhe në këtë mënyrë të tregojmë pakënaqësi ndaj vendimeve që uzurpojnë territorin tonë dhe vënë në dyshim mbijetesën tonë. Edhe ne kemi detyrim moral të mbështesim të arrestuarit tanë që ta dinë se jemi me ta”, ka thënë Sërgjan Milosavljeviq, organizator i protestës.
Vazhdimi i protestës u paralajmërua edhe për të mërkurën, dhe organizatorët thanë se ajo do të jetë më masive.
Qetësi edhe në Zubin-Potok
Protesta e prirë nga Lista Serbe nisi e qetë në Zubin-Potok, por në orët e para pati përpjekje tensionimi, meqë protestuesit serbë e shtynin kordonin policor.
Ish-kryetari i Zubin-Potokut dhe anëtari i Listës Serbe, Sërgjan Vulloviq, i priu protestës. Në një moment ai iu drejtua policisë duke u thënë diçka, por nuk u dëgjua çfarë e as nuk pranoi të deklarohej për mediat që ishin të pranishme.
Kryetari i Komunës, Izmir Zeqiri, i cili vjen nga radhët e PDK-së, gjatë ditës tha se po e vazhdon punën në Zyrën për Komunitete në Çabër.
Që në fillim të protestës nga ora 8 deri në 10, morën pjesë mbi 200 veta, por numri i tyre u përgjysmua më pas. Protestuesit qëndronin në çadra e tenda, ndërsa organizatori u ofroi edhe ujë e ushqim.
Edhe
Kryetarët e komunave në veri zotohen për prosperitet të qytetarëve e bashkëpunim me Policinë
Protesta u shoqërua me këngë nacionaliste të llojit “Kosova është Serbi” dhe me ato me tone kishtare, ku thuhej “besimi im është ortodoks”.
Protesta u përmbyll gjysmë ore më herët sesa ishte paralajmëruar. Më pas u mblodhën ulëset, tendat e çadrat të vendosura që në mëngjes dhe pasi Vuloviqi u dha mesazhin protestuesve, që nuk u bë publik për mediat.