Një numër serbësh, të hënën, nuk e kanë lejuar të futet në zyrë Kosta Belosheviqin, kryetarin e komunës paralele të Istogut, që funksionon sipas ligjeve të Serbisë.
Kjo zyrë, me bazë në fshatin Osojan, nuk u hap gjatë së hënës, pasi protestuesit po kërkojnë punësimin e një anëtari nga secila familje.
Sipas tyre, ky ishte premtim edhe i drejtorit të ashtuquaturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Zyrtarja e kësaj zyre, Milica Parliq, nuk deshi të flasë për mediat serbe që ishin të pranishme, por protestuesve u tha se duhet të kenë pak durim.
“Ju nuk e dini se sa po mundohemi. Por edhe pse po mundohemi, nëse nuk sigurojmë vende pune tash për tash, hajde të shohim se si mund të ndihmojmë”, u tha ajo protestuesve, përcjell “Radio Kim”.
Protestuesit u shprehen se po gënjehen tash e 10 muaj. Sipas tyre, në listën e pagave të kësaj komune paralele janë 47 zyrtarë, por vetëm 30 janë aktivë.
“Ku janë 17 të tjerë? Qëndrojnë në Serbi dhe marrin paga”, tha protestuesja Sanja Matkoviq.
Serbia ka krijuar komuna paralele për secilën komunë në Kosovë, ndonëse shumë pak prej tyre i ka në qytetet, serbët e të cilave pretendohet se i përfaqësojnë. Njësoj edhe komuna paralele e Istogut zyrën e ka në fshatin Osojan.