Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në Rubikon të KTV-së linjën ajrore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e quan marrëveshje, pasi sipas tij kjo më shumë është një synim për të ardhmen, por nuk është optimist se ajo do të realizohet.
Ai gjithashtu ka komentuar edhe vizitën e të dërguarit special të SHBA-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
“Vizita e Grenellit sot në Kosovë është e mirëpritur dhe e rëndësishme edhe për faktin se nga vjen ai. Sa i përket qëndrimit të tij sot në Prishtinë, ai ishte i fokusuar në çështjet ekonomike”, u shpreh Selimi.
Tutje Selimi ka thënë se linja ajrore është pak e realizueshme.
“Krijimin e linjës ajrore nuk e quaj marrëveshje, sepse s’ka ndodhur marrëveshja. S’ka udhëtarë dhe nuk ka leverdi ekonomike, e nëse është politike është çështje tjetër. Por, e shoh larg këtë punë. Duket si një koncept marrëveshje, si një synim që mund të ndodhë në të ardhmen. Kjo nuk është e leverdishme. Nëse do të kishte fluks udhëtarësh atëherë mund të ndodhte, por mezi mbushen autobusët në këto linja”, tha Selimi.
Sipas tij një marrëveshje e tillë do të mund të realizohej në një fazë tjetër.
“Ishalla problemi zgjidhet ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe të jemi në atë nivel sa të kemi edhe linja ajrore. Nëse vendet nuk lidhen reciprokisht e shoh mjaft larg të realizueshme. Por, mund të jetë e realizueshme për më vonë, në fazë tjetër. Nuk e përjashtoj as rolin e Gjermanisë, Britanisë e Amerikës, por duhet t’i shohim si faktorë të përbashkët, dhe ata janë pjesë e krijimit të këtij shteti dhe nuk e përjashtojnë njëra tjetrën”, u shpreh Selimi.