Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kujtuar se sot bëhen 6 vjet nga veprimi policor i qeverisë së atëhershme të Kosovës në veri të vendit.
Në një prononcim në profilin e tij në Facebook, Selimi ka thënë se nga kreu i qeverisë së atëhershme u proklamua si aksion i suksesshëm në shtrirjen e sovranitetit të vendit në komunat veriore të vendit të cilat, siç ka thënë, sikurse edhe sot, ishin jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Siç u pa atëherë dhe siç edhe e pranuan ministri i atëhershëm i brendshëm dhe kryeministri i atëhershëm, aksioni ishte i pamenduar mirë, pa plan operacional dhe pa mjetet e nevojshme për realizimin e një veprimi policor. Ky veprim politiko-avanturesk doli të ishte fatal për jetën e një oficeri policie dhe për sovranitetin e integritetin territorial në pjesën veriore të vendit. Atë ditë, një aventurë politike e kryeministrit të atëhershëm i kushtoi me jetë oficerit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi dhe Kosovës i kushtoi me ndarje edhe më të theksuar se sa që ishte”, ka thënë Selimi.
Prandaj, sipas Selimit, sot 6 vjet më vonë, në dritën e veprimeve që ndodhën që nga ngritja e barikadave në 2011-ën e deri te konspiracionet me murin te ura e Ibrit dhe me “trenin rus”, po rezulton se krejt kjo çfarë ndodhi atje ishte i planifikuar dështimi i policisë dhe i shtetit të Kosovës.
“Pra, që nga 25 korriku e deri te ‘treni rus’ u duk sikur aksioni policor ishte i paplanifikuar, por doli që vetë dështimi ishte plani Kryeministrit të atëhershëm dhe i të ashtuquajturit presidenti aktual i Kosovës. Atje u planifikua të dështojë shteti i Kosovës për të mos dështuar planet e Serbisë në Kosovë, duke i hapur rrugë kështu një raundi të ri të negociatave në Bruksel nga të cilat përfitoi Serbia në secilën marrëveshje”, ka thënë Selimi.
“Por, njëkohësisht, në këtë datë, e kujtojmë me respekt dhe e çmojmë shkrificën e secilit polic të Kosovës që u treguan të gatshëm t’i dalin në mbrojtje të vendit, Kushtetutës dhe ligjit. Veçanërisht kujtojmë Enver Zymberin – dëshmorin e Kosovës, për të cilin kërkojmë që kryerësit të aktit terrorist kundër Policisë së Kosovës të dalin para drejtësisë dhe po ashtu të ngarkohen me përgjegjësi ata që e futen policinë e Kosovës në kurthat e politikës konspirative në dëm të sovranitetit dhe të interesave strategjike të Kosovës”, ka thënë tutje ai.