Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Basri Sejdiu ka deklaruar se janë në fazën e reformave në shëndetësi, ku shërbimet do të avancohen dhe pacientët do ta ndiejnë sigurinë në shërbimet e lehta dhe të shpejta që do të ofrohen.
Ai ka komentuar grevën e punëtorëve të Klinikës së Kirurgjisë, ku tha se ka pasur pakënaqësi për paga dhe presin që të fillojë shumë shpejt kategorizimi i pagave.
“Është has një mirëkuptim dhe është bërë mirë që është ndërprerë greva pasi jemi në fazën e reformave në shëndetësi dhe me grevë nuk arrihet kjo”, tha Sejdiu, duke shtuar se për reformat kanë përkrahjen e Qeverisë dhe tashmë stafi mjekësor e ka kuptuar këtë, raporton televizioni publik.
Sejdiu është ndalur edhe te Klinika e Onkologjisë, ku tha se ka qenë furnizim i kënaqshëm me citostatikë. Ai tha se shërbimet në këtë klinikë kanë qenë pengesë, por theksoi se kjo është rregulluar me një intervenim dhe organizim më të mirë, dhe pacientët tash marrin shërbim 24 orë.
Ai ka treguar se janë në fazën përfundimtare të investimeve në Kliniken Emergjente, ku do të shtohet stafi dhe do të modernizohet infrastruktura e vjetër.