Dardan Sejdiu, deputet i PSD-së, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Platforma e propozuar nga partia e tij për dialogun me Serbinë nuk u vendos në Kuvend as për votim, ndonëse qëllimi ishte që përmes saj të ketë një kornizë të bisedimeve dhe të krijohet një ekip negociator i cili do ta kishte legjitimitetin nga Kuvendi.
“Është për keqardhje që, ndonëse Kryetari i Kuvendit kërcënoi kohë më parë se pa u kryer temat, nuk do të ketë pushim të Kuvendit, asnjë punë nuk u krye. Një person i cili flet për territore, për rrëzim kufijsh, pa asnjë autorizim, është duke bërë hapa tejet të rrezikshëm dhe problematikë sa i përket të ardhmes së Republikës”, ka thënë ai, duke iu referuar presidentin Hashim Thaçi.
“Është e qartë që dialogu në këtë format nuk duhet as të ndodhë si mënyrë për të ecur përpara. Vetëm përmes platformës së PSD-së dialogu mund të ecë përpara. Një ekip që merr mandat nga Kuvendi, një komision i Kuvendit që mbikëqyrë punën e këtij ekipi, dhe në fund, çdo lloj veprimi të ndëshkohet ose aprovohet në Kuvend”, tha ai.
Platforma, tha Sejdiu, duhet të përfshijë edhe propozimet e partive tjera parlamentare, siç është çështja e të zhdukurve, por edhe tema tjera që s’duhet të jenë fare pjesë e diskutimeve, siç është organizimi i brendshëm i Kosovës.
Deputeti i PSD-së thotë se çdo orvatje për poenë elektoralë veçse i bën dëm Kosovës.
Edhe
Sejdiu: PSD s’përkrah platformën për dialog ku anashkalohet Kuvendi
“Ka disa qasje në këto momente. Një qasje është që të vazhdojmë me këtë lloj katrahure. Tjera është që kritikon çdo gjë. Por, unë mendoj që duhet të ketë një qasje të re, të kthehet Dialogu në Kuvend, siç propozon platforma e PSD-së”, tha ai.
I pyetur nëse presidenti Hashim Thaçi duhet të jetë udhëheqës i Dialogut, Sejdiu tha se qëndrimi i tyre është i qartë.
“Jo. Zoti Thaçi nuk duhet të jetë udhëheqës i dialogut. Është Kuvendi ai që mund të marrë vendim mbi një ekip negociator që mund të drejtojë Dialogun. Në vend që të flasim për një emër të një futbollisti, është më me rëndësi që të flasim për planin apo strategjinë, sepse s’mund të luhet pa plan e pa strategji. Duke u marrë me emra të përveçëm na ka sjellë në këtë gjendje ku jemi sot. Nuk duhet të vetëm marrëveshja të sillet në Kuvend, por i tërë procesi të jetë pjesë e Kuvendit”.
Deputeti i PSD-së beson se partitë politike në Kuvend janë serioze dhe do të votohet platforma e PSD-së në fillim të sesionit të ri të Kuvendit.
“Kur tjetër ishin në postin e presidentit, thoshte se ky post është vetëm ceremonial. E tash që është vet ai, i jep vetes të drejtë të marrë përsipër çështje të rëndësishme. Ne si PSD mendojmë se Kuvendi është i vetmi vend ku mund të flitet për çfarëdo dialogu me çfarëdo shteti. Mendoj që Zoti Thaçi po dëshiron të bëhet ‘interesant’, të kontrabandojë njëfarë asociacioni ndëretnik. Rruga përpara është tek një shtet i të gjithë qytetarëve. Po t’ia hiqnit temës e Serbisë Hashim Thaçit, ai s’di të flasë për gjë tjetër. Jo vetëm atij, por shumicës së kësaj elite politike. Kryefjala dhe kallëzuesi në fjalorin e tyre politik është Serbia”, thekson Sejdiu.
Deklarata e Thaçit për Luginën është një “sharlatanizëm politik”.
“Duket se Thaçi tashmë po fillon të flasë edhe tema që janë në kundërshtim me betimin që duhet të bëjë një President. Falja e territorit është vepër penale. Nëse njëherë ia ka lënë Kuvendi, nuk besoj se do tëlejohet më. Duhet të bëhemi bashkë e tërë opozita dhe të krijojmë një platformë që do të bëjë presion në qeveri dhe akterët tjerë që të marrin me seriozitet idenë e ndarjes. Kjo çështje nuk është e rrezikshme vetëm për Kosovën, sepse apetitet e kombeve përreth, e kryekëput shqiptarëve, mund të shpërfaqen. Fati ynë është që Presidenti s’ka asnjë kompetencë, dhe ai do të vazhdojë kështu derisa Kuvendi të mos merret me këtë që e kemi propozuar ne”, tha ai.
Edhe
Sejdiu thotë se bashkëudhëheqja e Ahmetit në dialog nuk është çështje e kryer: LDK-ja e VV-ja po na shpërfillin
Çdo politikan që ia do të mirën kësaj Republike, nuk besoj se thotë se Dialogu s’duhet t’i kthehet Kuvendit.
Deputeti i PSD-së nuk mendon se në përfundim të Dialogut me Serbinë, kjo e fundit do ta njohë pavarësinë e Kosovës.