Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se ish-kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, e ka drejtuar partinë vetëm me humbje, dhe gjatë gjithë qeverisjes, sipas tij, ka bërë koalicione që i ka kundërshtuar në fazat e mëhershme.
Sejdiu, në një intervistë për DESK-un e KTV-së, tha se Mustafa ka krijuar ndarje dhe aversion mes strukturave dhe anëtarësisë së LDK-së, derisa theksoi se nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna.
“Nuk dua të hyj në vlerësime të tjera që ka çka mund të flitet. Unë e kam marrë këshilltar në kabinetin tim, dhe e kam marr këshilltar me bindjen si person që e njeh profesionin e vet...Nuk kam besuar se ai do të ketë ambicie të tjera paralele sepse fundja, nuk ka qenë anëtar i LDK-së. Mendoj se ai e ka shfrytëzuar këtë, me ndihmën e të tjerëve edhe jashtë LDK-së”, deklaroi Sejdiu.
Sipas tij, statusi i kësaj partie nuk është respektuar qëkur Mustafa ishte zgjedhur në krye të LDK-së.
“Qëkur e kam përfunduar mandatin si kryetar i LDK-së, statusi i LDK-së nuk është respektuar. Ajo që këta e quajnë me gojëhapur e me thirrje si kushtetutë e partisë. Janë bërë ndërhyrje të egra në të. Janë futur norma antidemokratike siç është ajo e mosmundësimit të konkurrencës të më shumë se një kandidati për vendin udhëheqës në parti, dhe janë diku rreth 12 faqe tekst që i kam hartuar e debatuar në një prej mbledhjeve. Në fazën e mëvonshme, në procese zgjedhore kanë ndodhur shkelje shumë të mëdha. Njerëzit janë ankuar në degë apo nëndegë, dhe asnjëherë s’ka pasur një intervenim për t’i rikorrigjuar”, theksoi tutje Sejdiu.
Ish-presidenti i Kosovës, deklaroi se për procesin e zgjedhjes së kryetarit të LDK-së, ishte luajtur në mënyrë perfide, e sipas tij, pamundësimi i një kandidati për të hyrë në garë, bllokoi shansin e rikuperimit të LDK-së. I pyetur se a do të garojë përsëri për ta udhëhequr partinë, Sejdiu tha se s’ka qenë dorë nga gatishmëria për të qenë në shërbim të vendit.
Edhe
Sejdiu: Kuvendi “i pazareve” i 2019-s në LDK i parapriu rezultatit të dobët në zgjedhje
“Unë s’kam hequr dorë nga gatishmëria që të jem në shërbim të vendit. Absolutisht, nuk ndalem tani në kuptimin e interesimit të drejtpërdrejta”, tha ai.