Organizata e Medieve e Evropës Juglindore (SEEMO) ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale në transmetuesin publik të Kosovës, Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Përmes një komunikate për media SEEMo thotë se, “trazirat janë duke vazhduar me menaxhmentin e RTK -së për më shumë se një vit. Sindikata e RTK-së ka qenë disa herë dhe kohët e fundit nën sulm nga Drejtori i Përgjithshëm”.
“Po ashtu mediumi është kritikuar së fundi, pasi ka treguar joprofesionalizëm të thellë në raportim duke shkelur standardet etike”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
SEEMO është e shqetësuar edhe për mungesën e transparencës në hartimin e ndryshimeve në Ligjin për RTK-në, si edhe në miratimin pa diskutim publik të projekt-ndryshimeve nga Komisioni parlamentar për medie. Ajo i bën thirrje Kuvendit që të lejojë publikun e interesuar dhe organizatat profesionale të gazetarëve, grupet dhe Sindikatën e RTK-së për të marrë pjesë në debatin për amendamentet.