Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Miratohen në parim projektigji për çmimet tavan dhe ai i sigurimeve shëndetësore

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Miratohet në parim edhe projektligji për sigurimet shëndetësore

1 muaj më parë / 10 pri 2026 20:31
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

65 deputetë kanë votuar pro për të miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Ky projektligj u vlerësua si i domosdoshëm edhe nga deputetë të opozitës. 

Funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është parakusht për fillimin e sigurimeve shëndetësore, por në praktikë digjitalizimi i sistemit është ende larg përfundimit.

Projektligji siç pati bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas miratimit në qeveri, parashikon përcaktimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit.

3.5 për qind e pagës së të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi do të ndahen si kontribute, si prime për mbushjen e fondit të Sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Një ligj për sigurimin shëndetësor është miratuar edhe në vitin 2014, por nuk ka gjetur zbatim praktik, pavarësisht premtimeve të çdo ministri të shëndetësisë.

Shqyrtimi i dytë i projektligjit do të bëhet më 23 prill.

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar, pasi ajo gjeti se ky ligj ishte miratuar në mënyrë jokushtetuese.

Kuvendi ka miratuar në parim edhe projektligjin për Lojërat Mesdhetare, si dhe atë për financimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe atë për banim të përballueshëm dhe social.

Miratohet në parim projektigji për çmimet tavan

1 muaj më parë / 10 pri 2026 19:19
kuvend

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për çmimet tavan.

Kuvendi e miratoi Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, me 63 vota për.

Deputetët e opozitës nuk e mbështetën.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se fokusi është për mbrojtjen e qytetarëve dhe se ky ligj do të shërbejë si instrument i jashtëzakonshëm në situatë të jashtëzakonshme.

“Ky ligj nuk është kundër biznesit dhe tregut të lirë”, ka thënë ai. Sipas tij, ligji është vetëm kundër abuzimit me çmimet.

Ndërkaq Arben Mustafa i PDK-së ka thënë se ky ligj s’ka qëllim të ulë çmimet, por t’i ofrojë Qeverisë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun në Kosovë dhe të pengohet tregu i lirë. Ai ka thënë se tashmë është dëshmuar se kur rriten çmimet e importit, kufizimi i marzhës tregtare s’ka rol. Ai ka thënë se projektligji parasheh një Bord për intervenime kur ka rritje të paarsyeshme të çmimeve. Ka kritikuar se aty mungon metodologjia mbi çka do të merret ky vendim nga ai bord.

E sipas Janina Ymerit të LDK-së, ky bord nuk është i pavarur, por rekrutohet nga Ministria. “S’jemi vend enverist, me i pas çmimet apo ndërhyrjet në tregun e lirë me anë të një partie”, ka thënë ajo.

Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se ky bord i propozuar është politik. Sipas tij, “bordi është strukturë paralele e dikastereve brenda Ministrisë”.   

“Haraçi” tensionon Kuvendin

1 muaj më parë / 10 pri 2026 18:47
Albulena Haxhiu

Debat i tensionuar është zhvilluar në Kuvend gjatë diskutimeve për shqyrtimin në parim të projektligjit për çmimet tavan në produktet bazë.

Përplasja ishte mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.

Gjatë diskutimit fjalën e mori Rrahmani. Ai kritikoi projektligjin duke thënë se kjo u shërben oligarkëve e se i dëmton prodhuesit vendorë.

“Ky ligj që po e sillni këtu është i oligarkëve. Duhet të bëhet ligji për tregti të brendshme.... aty duhet të caktohen rregullat e tregut ku s’mund t’u qitet haraç nga secili rrjet i marketeve prodhuesve vendorë. Sot për të prodhuar një ujë dhe që ta futësh në treg të Kosovës duhet të paguhet mijëra euro haraç që vendosin rrjetet e marketeve”, ka thënë ai duke akuzuar pushtetin se e ka rritur koston për prodhim.

“Në markete, këto produkte që i përmendni shumica janë në marketingje e reklama me çmim minimalist e pothuajse marzhë zero të fitimit që t’i tërheqin konsumatorët për t’i sjellë në rrjete dhe t’u shesin qindra artikuj të tjerë. A e keni parë që buka shpesh përgjysmë më lirë se në furrat e bukës sepse kjo është orientim i tregut drejt oligarkëve. Atëherë i kemi quajtur bashkë, sot po u shërbeni me ligj. Nëse ua cakton çmimin një marketi të lagjes do të falimentojë”, ka thënë ai.

Pas tij, reagoi Abrashi që tha se këta që Rrahmani i akuzon për “haraç” janë “financuesit kryesorë të PDK-së”.

“Kolegu Eman, me të vërtetë më pëlqeu fjalimi. E ke ngritur edhe më herët këtë çështjen e haraçit që pajtohem që disa operatorë të mëdhenj ekonomikë ua bëjnë. Por e kam një kërkesë. A mundesh ti brenda GP të PDK-së të marrësh iniciativë ligjore, me bekimin e PDK-së kundër këtyre oligarkëve, e ta sjellësh këtu dhe ta miratojmë atë ligj? S’mundesh sepse ata operatorë ekonomikë që po u qesin haraç bizneseve të vogla, janë financuesit dhe donatorët kryesorë të PDK-së. A mund ta sjellësh? Votën time do ta kesh”, ishte përgjigja e Abrashit.

Pas kësaj, Rrahmani u ngrit për të marrë fjalën, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i tha se nuk mund ta marrë fjalën pa ia dhënë lejen ajo.

“Ani prit se s’mund të çohesh pa ta dhënë fjalën”, u dëgjua tek thotë Haxhiu.

Rrahmani bllokoi foltoren e kryeparlamentarja Haxhiu ua dha fjalën disa deputetëve të tjerë që refuzuan të flisnin. Kur e mori fjalën Përparim Gruda, ai i kërkoi bashkëpartiakut Rrahmani që ta lëshojë foltoren dhe të qetësohet situata.

Opozita kritikon “urgjencën” për miratimin e projektligjeve

1 muaj më parë / 10 pri 2026 17:36
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Deputetë të partive opozitare në Kuvend kanë kritikuar mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtim të dhjetë projektligjeve të premten.

Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk e kupton urgjencën për shqyrtim të tyre. Ai ka thënë se kjo bie ndesh me Rregulloren që thotë se “duhet të kalojnë dy javë nga shpërndarja e ligjeve”. Ai ka thënë se PDK-ja është kundër.

Ndërkaq Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se seanca “tregon për tendencën për t’i ikur debatit parlamentar”. E ka cilësuar precedent “që nuk i ka hije askujt”. Ajo ka thënë se kjo po ndodh edhe për shkak të arrogancës së numrave. Ka bërë të ditur se LDK-ja nuk merr pjesë në votim.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar të palogjikshëm këtë seancë. Sipas tij, pushteti po përgatitet për zgjedhje. “Cila është urgjenca për këto? Për çka jemi për ngutë? Është parapërgatitja e platformës për zgjedhje”, ka thënë ai.

Para tyre, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se seanca është ftuar që të shqyrtohen në parim projektligjet dhe t’u jepet kohë e mjaftueshme deputetëve për të dhënë kontributin “në ditët në vijim”.

Në fund, me 63 vota Kuvendi miratoi shmangien nga afati procedural për Ligjin për çmimet tavan. 22 vota ishin kundër.

Bajrami: Kurti po na çon në zgjedhje

1 muaj më parë / 10 pri 2026 17:22
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Ajo e ka ndërlidhur këtë me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të ftuar për të premten pasdite, me 10 pika të rendit të ditës, shumica prej tyre projektligje të miratuara pak ditë më parë në Qeveri.

“Albin Kurti po na qon në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse po don me i kalu ligjet me afate të përshpejtume. Albini po don me kry punë me Kuvend dhe mandej me qeverisë pa Kuvend dhe pa mbikëqyrje. Prej dhjetorit të vitit 2024 s'ka pasë Kuvend funksional. Tash me kalu ligje me shmangie. Pse këto urgjenca? Urgjencë me ba ligje që s'mund të zbatohen kurrë”, ka shkruar ajo në Facebook.