Kuvendi i Kosovës nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re. Propozimi për Kurti 3 mori vetëm 56 vota pro. 52 votuan kundër e 4 abstenuan.
Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se tash përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani.
Në prezantim të programit, mandatari Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur marrëveshje me asnjë parti tjetër për bashkëqeverisje. Ai ka kërkuar votën nga partitë tjera për të “vazhduar qeverisjen e mirë”. Në prezantim ai tregoi edhe emrat e 20 ministrave me të cilët synonte të siguronte shumicën.
Tash presidentja Vjosa Osmani pritet të mbledhë liderët e partive dhe të konstatohet nëse ka ndonjë shumicë, apo duhet të shkohet në zgjedhje.
Kjo ishte hera e parë që një mandatar për kryeministër dështon në votim. Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën. Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
Pas dështimit, partitë opozitare kanë thënë se nuk do ta bëjnë shumicën dhe se vendi duhet të bëhet gati për zgjedhje.
E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deklaratat dhe të gjitha zhvillimet i gjeni këtu
Para nisjes së seancës, Sveçla uron për Qeverinë “Kurti 3”
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ka lënë të kuptohet se i kanë numrat për formimin e qeverisë sot.
Kjo pasi para mediave ai e bëri “për hajr” Qeverinë.
“Për hajër ju koftë Kurti 3”, tha Sveçla.
Megjithatë, Sveçla nuk dha më shumë detaje.
Paraprakisht, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje. E sipas Muratit nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.
“Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.
Por kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para se të filloj seanca tha se një njëri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë politike, e jo ta linte ditën e fundit.
Ai ka thënë se “punët e mira nuk lihen ditën e fundit” dhe se “sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor”.
Gashi: Kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk e beson që dikush jashtë vullnetit të partisë do të votojë për formimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se është çështje delikate votimi i Qeverisë pa marrëveshje politike paraprake.
“Unë kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore. Partitë politike pas ditës së sotme nëse dështon qeveria të shohim, a do të shkojmë në zgjedhje a të bëhet një qeveri e përkohshme që të kalojë buxheti ose ndonjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Abdixhiku: Punët e mira nuk lihen ditën e fundit, sot bie perdja e mashtrimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot nuk votohet një ligj i zakonshëm, por mandatari duhet të prezantojë shumicën.
Sipas tij, një njëri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë politike, e jo ta linte ditën e fundit.
Ai ka thënë se “punët e mira nuk lihen ditën e fundit” dhe se “sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor”.
Ka shtuar se ditën e fundit, është show populist.
“Deputetët e LDK-së janë të lirë të votojnë si të duan por kanë deklaruar se pa marrëveshje politike nuk ka kuptim të jetë shumica. Duhet të ketë mazhorancë që për katër vite të udhëheqë Qeverinë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk ka arritur të bëjë shumicë.
Murati: Shkuarja në zgjedhje rrezikon shumë procese, sot të shikohet interesi shtetëror
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje.
Në një status në Facebook, Murati ka shkruar se nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.
“Në seancën e sotme janë dy mundësi, ose do të kemi Qeveri Kurti 3 ose vendi do të shkojë edhe njëherë në zgjedhje duke rrezikuar shumë procese si Buxheti, Plani i Rritjes i BE-së, funksionimi i institucioneve të pavarura etj. Opsioni i dëshiruar për ne natyrisht që është opsioni i parë. Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.
Murati ka thënë se uron që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik te secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash.
Matet Kurti
Albin Kurti do ta paraqesë para deputetëve të dielën, përbërjen e kabinetit qeveritar që synon ta ndërtojë, e edhe programin e qeverisë. Por, është mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë, pa e siguruar paraprakisht shumicën.
Lëvizjes Vetëvendosje së cilës i prin Kurti, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të Qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.
Një ditë para mbajtjes së seancës për formimin e Qeverisë së re, mandatari për kryeministër nuk ka treguar nëse i ka siguruar votat shumicën e votave në Kuvendin që përbëhet prej 120 deputetësh. Pas një aktiviteti që ka zhvilluar gjatë ditës, ai është pyetur nga gazetarët për marrëveshje të mundshme koalicioni, por nuk është përgjigjur.
Seanca plenare është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00.
Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për kah fuqia e votës, Partinë Demokratike (PDK), dhe e lënë derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Nismën Socialdemokrate.
Por, në LDK e kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi. E këtë e ka konfirmuar sërish të shtunën deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.
“Mua nuk më ka kontaktuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa anëtarët e tjerë të partisë nuk i kam pyetur. Por qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar”, ka thënë Bajrami, një prej kritikeve më të mëdha të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
E, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ka konfirmuar këtë javë se nuk do të votojë për Qeverinë Kurti 3. Ai ka qenë ndër politikanët që ka negociuar me Kurtin për marrëveshje koalicioni, por sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kërkesa e tij ka qenë e papranueshme. Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë në këtë legjislaturë, nuk ka kërkuar hise në qeveri, por vetëm postin e kryeparlamentarit. Ndërkaq, Vetëvendosja ia ka ofruar atë të nënkryetarit të Kuvendit dhe dy pozita zëvendësministri.
Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën. Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese.
Për vështirësi në formimin e Qeverisë, Kurti ka folur më herët në një tubim me diasporën në Londër.
“Këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar. Nuk është e lehtë sepse nuk di se si tu shpjegoj... Pak e keni ndje dhe ju vet por është intosikuar atmosfera. Ka shumë xhelozi e inate, më shumë se ide, punë e pasion, por jemi ku jemi tash këtu. Do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë, por si duket alternativa do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë ai.
Por, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se problemi qëndron tek Vetëvendosja, së cilës subjektet e tjera ngurrojnë t’i bashkohen në qeverisje.
“Më duket që Kurti ose po e bën qëllimshëm, ose e ka humbur kuptimin pse qëndron aty. Qe 10 muaj diskutojmë a janë numrat, a s’janë”, ka thënë ai.
Kushtetuta parasheh që në rast se përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën, atëherë presidenti duhet që brenda dhjetë ditësh ta emërojë një mandatar të dytë. Bazuar në aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, caktohet mandatari nga cilado parti që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend. Por, edhe partitë oponente të Vetëvendosjes, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë shprehur qëndrimin se nuk kanë vota dhe nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën, për ta lënë jashtë qeverisë LVV-në.
Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe, ka paralajmëruar se do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, në rast se formimi i qeverisë dështon të dielën.
“Nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, ka thënë Osmani.
Edhe mandatari i dytë, në rast të emërimit, do t’i ketë 15 ditë kohë për t’ia propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj. Nëse as kjo përpjekje nuk rezulton me sukses, presidenti shpall zgjedhje të reja të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes.
Dinamika politike mund të ndikohet edhe nga një vendim eventual i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ankesën e Listës Serbe për moszgjedhjen e asnjërit prej 9 deputetëve të saj nënkryetar Kuvendi. Në rast se deri të dielën Kushtetuesja vendos masë të përkohshme, Kuvendi nuk mund të marrë veprime në funksion të formimit të qeverisë.
Shkaku i dallimeve politike, edhe konstituimi i Kuvendit është bërë tek para dy javësh, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur në fillim të shkurtit.